Ekspozitë me punimet e artistit dhe komandatit kosovar, Agim Ramadani

Prezantohen pikturat e heroit Agim Ramadani të rënë në luftën për clirimin e Kosovës. I pranishëm në këtë aktivitet kryeministri Sali Berisha vlerësoi kontributin e dhënë prej Agim Ramadanit si poet e piktor, por mbi mbi të gjitha si një strateg me vlera i cili luftoi deri në vdekje për atdheun.“Agim Ramadani ishte një piktor i talentuar, poet i shkëlqyer, atdhetar i flaktë, por mbi të gjitha, Agim Ramadani ishte nga ata intelektual, shkrimtar, piktor që kishte burrërinë, kurajën, atdhetarinë, kishte konceptin se, në momente të caktuara, kur pena, peneli, kur fjala nuk mjaftojnë, është e domosdoshme pushka, është e domosdoshme gjuha e saj, për të folur për lirinë, për të shkruar për lirinë, për të mbrojtur lirinë e dinjitetin. Agim Ramadani, në këtë luftë, në fushëbetejë, zgjodhi të luftojë aty ku padrejtësia e kohërave ishte më e madhe, kufiri, ai zgjodhi të thyejë, të thërrmojë një kufi të padrejtë që ishte vendosur mbi trupin e një kombi. Ndaj dhe udhëhoqi një brigadë, luftoi me heroizëm të madh. Në qoftë se ne marrim, një nga një, jetët e flijuara për lirinë e dinjitetin tonë, në qoftë se marrim, një nga një, rinitë e këputura për lirinë dhe dinjitetin e këtij kombi, Që të gjitha janë të mbështjella, që të gjitha flenë në një ëndërr dhe ajo është; ëndrra e bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Kjo është rruga me të cilën ne shqiptarët do të mund të kapërcejmë një trashëgimi të imponuar nga e shkuara, kjo është rruga në të cilën ne shqiptarët, energjinë e kombit do të mund ta përdorim si një forcë të fuqishme pozitive për të ndërtuar të ardhmen tonë” tha Kryeministri.Ekspozita u hap në Galerine e Arteve Pamore ne Tirane ne kuadrin e 100 vjetorit te pavaresise. Agim Ramadani ra heroikisht në luftën e Kosharës në vitin 1999 dhe vlerësohet si një nga heronjtë më të njohur të historisë së re shqiptare.