Gara për zgjedhjen e kreut të PD, Basha nis nga Elbasani, Olldashi nga Fieri

Pasi ka nisur gara për zgjedhjen e kreut të Partisë Demokratike, kandidati për kryetar i kësaj partie dhe njëherësh kryetar i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka startuar fushatën e tij nga qarku i Elbasanit.

Basha: Do dëgjoj zërin e antarësisë, të ringremë PD-në

“E di që jeni lodhur shumë në këtë fushatë ndaj dua të shpreh mirënjohjen dhe respektin tim për mundin dhe punën e të gjithëve ju që keni kontribuar në Partinë Demokratike. Me tunelin që ndërtoi qeveria e Partisë Demokratike, Elbasani po bëhet lagje e Tiranës. Tani ne vijmë nga Tirana në Elbasan për 30 minuta, ky ishte një premtim që ne e bëmë realitet.Në 23 Qershor ne nuk korrëm rezultatin që shpresonim dhe që mendonim se meritonim. Ky moment duhet analizuar dhe ne do të bëjmë një analizë të plotë dhe që nuk do të jetë për të larë duart nga përgjegjësitë dhe as për të bërë koka turku por do të jetë një analizë që ti shërbejë PD-së të analizojë pjesën e saj të përgjegjësisë, të nxjerrë mësime dhe të dali më e fortë për sfidën e rradhës elektorale”, u shpreh Basha.“Përgjegjësia për humbjen e 23 Qershorit qëndron jo vetëm mbi Sali Berishën, por fillon nga gjithësecili prej nesh. Kjo është një mundësi për të bashkuar secili prej nesh në këtë familje të madhe. Elementi i parë i reflektimit është që të jemi të gjithë bashkë dhe mos të lejojmë përçarje dhe shpifje që të hyjnë mes nesh. Secili prej nesh duhet të pranojë përgjegjësitë e veta. Kandidatura ime për kreun e PD-së nuk është nisur nga ambicia personale por duke u nisur nga ndjenja e përgjegjësisë dhe ky është një vendim mjaft i vështirë për mua. Militantët e Partisë Demokratike janë njerëz punëtorë dhe të përkushtuar. Fillimi i projektit të ri politik, dëgjimi i zërit të çdo anëtari të PD-së në çdo cep të vendit. Ky proçes duhet të jetë i vërtetë dhe i prekshëm nga të gjkithë dhe duhet të jetë një proçes cili duhet të nisë sa më parë. Mazhoranca ka ardhur në pushtet me premtime të cilat nuk i mban dot dhe qe nuk ka  ndërmend ti mbajë. Kjo mazhorancë ka mundësi të dalë në kundërshti me interesat e qytetarëve të këtij vendi. Duhet të jemi në opozitë me këtë mazhorancë dhe në mazhorancë me interesat e  qytetarëve shqiptarë. Partia Demokratike do të angazhohet në funksion të mbrojtjes së shërbimit civil. Jemi partia që bëri të mundur shembjen e diktaturës, që i dha shpresë vendit me të pashpresë. Jemi partia që bëri të mundur që të ngrihemi nga një nga kolapset më të vështira ekonomike. Jemi partia e vlerave të mëdha dhe njerëzve të mëdhenj, jemi partia e Sali Berishës. Në këtë proçes duhet të futemi me dinjitet, jemi krenar për ato që i dhamë vendit  gjatë 8 viteve. Jemi e djatha e bashkuar shqiptare dhe do të ndërtojmë një mazhorancë reale për të nesërmen”, u shpreh Basha në fjalën e tij përpara demokratëve të qarkut të Elbasanit.

Olldashi: Sëbashku do ti shkurtojmë ditët  Edi Ramës

Nën sloganin “Bashkë rikthehemi më shpejt”, ka startuar  nga qyteti i Fierit fushatën e tij për kryetar të Partisë Demokratike edhe kandidati tjetër, Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi.Qarku i Fierit, zona elektorale e dyta më e madhe në vend pas Tiranës, është drejtuar nga Olldashi në dy zgjedhjet e fundit parlamentare, ku në vitin 2009 ai mori gjashtë deputetë, ndërsa në vitin 2013 pesë. 

Kandidati për Kryetarin e Partisë Demokratike, Sokol Olldashi ka nisur  takimet  dhe diskutimet me antarët e Partisë Demokratike në Mallakastër.

Në thelb të këtij diskutimi, Olldashi ka parashtruar mënyrën sesi Partia Demokratike mund të eci përparara, sesi të gjithë sëbashku të ringrihen nga humbja e zgjedhjeve elektorale, me synimin për tu rikthyer aty ku është destinancioni i Partisë Demokratike, fitorja në zgjedhjet e para. Jam i bindur që një parti e mençur si kjo e jona do të dijë të ringrihet me e fortë se më parë.- tha Olldashi

"Ne kemi përballë mazhorancën e Edi Ramës, ne kemi synimin që kësaj mazhorance  t'i shkurtojmë ditët dhe përballë asaj mazhorance është  Partia Demokratike si e vetmja dhe e patjetërsueshme forcë opozitare e këtij vendi. Opozita nuk është çështje numrash nuk ka rëndësi fare nëqoftëse je në opozitë, nëqoftëse ke 69 deputetë apo 39 deputë, apo 49 deputetë. Opozita është çështje morali, është çështje zemre , është çështje shpirti për të rrëzuar atë që ke përballë."

Ndër të tjera Olldashi tha se Partia Demokratike në themelin e saj ka militantin e thjeshtë të Partisë Demokratike dhe se duhet të rigjehet ajo marrdhënie për të patur sukses.

"Suksesi ynë varet nga marrëdhënia pikërisht me atë njeriun e thjeshtë, me militantin e partisë, me atë njeriun e padukshëm që jo gjithmonë ia dimë emrin, që jo gjithmonë ia njohim kontributin, që jo gjithmonë ia dimë hallet, që jo gjithmonë i gjendemi kur ka nevojë, që shpesh herë e harrojmë, që shpesh herë ky njeriu shkon i bie dyerve të drejtorëve tanë e nuk ia hapin, që shkon dhe troket për të zgjidhur një problem në zyrat e pushtetit tonë, në zyrat e pushtetit të tij dhe nuk e zgjidh dot atë. Nqs nuk gjejmë këtë individ, militantin e thjeshte të PD-së, atë që nuk i di njeri emrin, ne nuk ngrihemi dot. Ne nuk ngrihemi dot po nuk  ringritëm dhe fuqizuam këtë strukturë. Vetëm në këtë mënyre Partia Demokratike mund të bëhet prapë fuqia e parë politike në vend."

Në fund të fjalës së tij, Olldashi kërkoi mbështetjen e të gjithë antarëve të Partisë Demokratike që besojnë në vizionin e tij për të ringritur Partinë Demokratike duke pasur në vëmendje institucionin e militantit.

Olldashi vijoi takimet dhe diskutimet me antarët e Partisë Demokratike në Qytetin e Patosit.