Berisha firmos rritjen e rrogës minimale me 11.3%
Rriten rrogat e ulta me 11.3%.Kryeministri në detyrë Sali Berisha ka firmosur rritjen e pagave minimale të cilat nga 21 mijë lekë shkojnë mbi 23 mijë e 300 lekë. Lajmin për të gjithë përfituesit, Berisha e ka ndarë me të gjithë miqtë e tij në faqen zyrtare në “Facebook”, ku shkruan:"Të dashur miq, sot firmosa vendimin për rritjen e rrogës minimale me 11.3 %. Kjo është rritja e madhe e të gjithë rrogave të ulta. Me këtë vendim rrogat minimale në Shqipëri, krahasuar me fillimin e vitit 2006, rriten me 110 %. Ne mbajmë premtimet!”Vetëm pak ditë më parë kryeministri hodhi poshtë zërat se nuk do të kishte rritje të pagave dhe pensioneve, pasi buxheti ndodhej në vështirësi. Kështu pritet që pas 15 Korrikut të hyjnë në fuqi edhe rritjet për pensionet, pagat e mesme dhe të larta. Nga rritja e premtuar e kryeministrit Berisha do të përfitojnë rreth 571 mijë pensionistë në masën 3-5 %. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, pensionet e fshatit do të përfitojnë edhe rritjen më të madhe, ndërsa rritje më të ulët do të përfitojnë pensionet e qytetit. Ky vendim parashikon një rritje më të madhe për pagat e ulëta dhe pensionet në fshat, me synim barazimin e tyre me pensionet e qytetit. Ndërkohë që rritja do të jetë më e ulët për pagat e larta. Rritja e pagave të ulta me 11.3 % është më e lartë se premtimet e bëra të kryeministrit për një rritje pagash e pensionesh nga 4 deri në 6%.Pavarësisht lajmit të mirë për buxhetorët dhe pensionistët, rritja pritet që të ketë një efekt prej 2.5 miliard lekësh në buxhetin e shtetit. Sipas projektvendimit, rritja llogaritet, sipas kategorive, ku për nivelin e lartë të drejtuesve të shtetit nuk do të kishte shtesa, kurse përfitimin më të madh do ta kishin punonjësit me pagën më të ulët. Sipas rregullit buxhetor dhe ligjeve në fuqi, rritja e pagave dhe pensioneve duhet të ndodhë, pavarësisht vullnetit politik apo pamundësisë financiare të qeverisë, për të balancuar nivelin e inflacionit.