Kryeministri Berisha apel Ramës: Mjaft me sulme, nuk jemi qeveri kujdestare
Në përgjigje të akuzave të një dite më parë të Kryeministrit të ardhshëm Edi Rama lidhur me Kryeministrin në detyrë Sali Berisha ka ardhur dhe reagimi i Kryeministrisë. Në një dalje për mediat, zëdhënësja e këtij institucioni, Erla Mëhilli, deklaroi se sulmet dhe kërcënimet e Kryesocialistit ndaj institucioneve kushtetuese të vendit, veprimtarisë normale të qeverisë dhe vendimeve të saj, janë shprehje e një revanshi të papërmbajtur e zotit Rama.Në përgjigje të sulmeve të kreut te PS, Mëhilli saroi më tej se bazuar në KusHtutën e vendit, kjo qeveri ka mandat të plotë Kushtetues për të ushtruar pushtetin e saj ekzekutiv në zbatim të programit për të cilin është votuar gjer ditën e fillimit të mandatit të mazhorancës së re.“Këto ditë, zoti Edi Rama, kryetar i mazhorancës së re, ka ndërmarrë sulme dhe kërcënime ndaj institucioneve kushtetuese të vendit, veprimtarisë normale të qeverisë, vendimeve të saj. Lidhur me këto qëndrime, shprehje e një revanshi të papërmbajtur të zotit Rama, sqarojmë se Kushtetuta, me nenet e saj 65; 67; 96; 99, përcakton shumë qartë datën e fillimit dhe mbarimit të mandatit të një mazhorancë dhe kryeministrit të saj. Kështu, sipas nenit 65 të Kushtetutës, mandati i Kuvendit përfundon të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë dhe data e mbledhjes së parë është data 7 shtator 2009 dhe sipas nenit 67 të saj, Presidenti i Republikës mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës. Pra, Kuvendi i ri nuk mund të mblidhet para datës 7 shtator. Po kështu, sipas neni 96 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës emëron kryeministrin, pra, pasi mblidhet Kuvendi i ri dhe ky i fundit, sipas nenit 99 të saj, para fillimit të detyrës bën betimin para Presidentit të Republikës, çka do të thotë se mandati i kryeministrit mbaron pas betimit të pasardhësit të tij. Pra, kjo qeveri ka mandat të plotë Kushtetues për të ushtruar pushtetin e saj ekzekutiv në zbatim të programit për të cilin është votuar gjer ditën e fillimit të mandatit të mazhorancës së re. Të gjitha vendimet e qeverisë janë dhe do jenë në përputhje me programin e saj të mandatit që ushtron dhe të bazuara në Kushtetutën dhe ligjet e vendit” sqaroi ajo.Sipas zëdhënëses së Kryeministrisë antikushtetuese nuk janë vendimet e KM, por kërcënimet e zotit Rama ndaj institucioneve të vendit.“Antikushtetues është pretendimi i tij për qeveri kujdestare. Kushtetuta e Shqipërisë dhe e asnjë vendi në Europë, por dhe thuajse në tërësi, me ndonjë përjashtim shumë të rrallë , nuk njohin e nuk parashikojnë qeveri kujdestare, të lidhura me zhvillimin e zgjedhjeve. Ky kuadër ligjor ekziston i sanksionuar në Kushtetutën e Bangladeshit, e cila 3 muaj para zgjedhjeve i jep kryesimin e qeverisë kujdestare kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe tepër rrallë në ndonjë vend tjetër, mbi bazë ligjore të përcaktuar mirë” deklaroi Mëhilli.Kryeministri Berisha i kërkon zotit Rama të heqë dorë nga kërcënimet dhe sulmet ndaj institucioneve kushtetuese, ndërsa siguron qytetarët se qeveria në detyrë do vazhdojë normalisht përmbushjen e detyrimeve të saj dhe se Kushtetuta dhe institucionet e vendit nuk do mund të pengohen, as edhe të ndikohen nga revanshi i papërmbajtur i tij ndaj tyre.Të premten, ndërsa foli në Asamblenë Kombëtare të PS, Rama apeloi qeverinë në detyrë të bëjë rolin e kujdestarit dhe të mos marrë vendime që mund ta vënë në vështirësi qeverinë e ardhshme. Kreu i PS gjithashtu apeloi edhe subjektet private të tërhiqen nga bashkëpunimi me këtë qeveri, pasi të gjitha kontratat e nënshkruara pas 23 qershorit do të rishikohen.