Sigurohet energjia për verën, KESH: Kemi rezerva të mjaftueshme
Sigurohet energjia elektrike për stinën e verës. Korporata Elektroenergjitike deklaron se pavarësisht se reshjet tashmë kanë pushuar, në basenet e liqeneve janë krijuar rezerva hidrike të mjaftueshme për të përballuar stinën e thatë.Ndërkohë, aktualisht Korporata Elektroenergjitike prodhon mbi 16 milion kw energji elektrike dhe merr nga Kosova rreth 3 milion kw nga energjia elektrike që është depozituar gjatë dimrit kur prodhimi në vend ka qenë në maksimum.Konsumi ditor i energjisë elektrike në vend aktualisht prej KESH vlerësohet të jetë rreth 19 milion kw. Aktualisht niveli i ujit në basenet e hidrocentraleve kryesore është në nivel mjaft të mirë. E përkthyer në energji elektrike rezervat ujore në basenet e hidrocentarleve kryesore është rreth 1400 Giga VAT për orë.Fierza që është një prej HECE-ve më të mëdha në vend, punon me dy aggregate, ndërkohë që kuota është në nivelin e 293.70 metrave dhe prurjet 130 m3 në sekondë.Hidrocentrali i Komanit është në kuotën e 174.36 metrave dhe punon me tre aggregate, ndërsa Vau i Dejës është në nivelin e 74.41 metrave dhe është në punë me kapacitet të plotë.Që prej disa vitesh, situata energjitike në vendin tonë është në vështirësi për shkak të rritjes së konsumit dhe varësisë që ka ndaj reshjeve të shiut.Megjithatë kalimi i projektit të gazësjellësit TAP në vendin tonë pritet që të ndikojë në përmirësimin e sistemit energjitik në vend, pasi do të vihen në punë disa TECE të cilët aktualisht nuk prodhojnë energji pasi kanë kosto të lartë. Kjo pritet të stabilizojë tregun energjitik në vend dhe të ulë varësinë e sistemit energjitik nga reshjet e shiut.