Analistët flasin për kreun e Partisë Demokratike
Tashmë gara është e hapur. Por kush do ta drejtojë Partinë Demokratike, do të jenë anëtarët e kësaj force politike që do të vendosin më 22 Korrik për liderin e ri përmes votimit një anëtar një votë.Analistët Agim Neza dhe Eduart Zaloshnja e konsiderojnë një garë të fortë përballjen Basha - Olldashi për drejtimin e selisë blu. Ndërsa vlerëson të dy figurat personalitete të mbështetur nga kreu në detyrë Sali Berisha, analisti Agim Neza thotë se kjo e bën garën më të fortë por edhe më demokratike. Por për Eduart Zaloshnjën kjo garë do të nxjerrë fitues de fakto nënkryetarin e PD-së, pasi kryetari sipas tij do të vazhdojë të jetë Sali Berisha, i cili ka deklaruar se do të bëjë 24 orë punë.Për Eduart Zaloshnjën gara do të fitohet nga Lulzim Basha, pasi sipas tij kryebashkiaku i Tiranës është një “fushatist” i zoti, ndërsa për Sokol Olldashin thotë se është ekspert i mirë në drejtimin e punëve dhe këtë e ka treguar në krye të ministrive që ka drejtuar, por kjo nuk mjafton- thotë ai.Por Agim Neza ndërsa nuk flet për pritshmëritë e fituesit të garës thotë se kjo do të mbetet në dorë të anëtarësisë demokratike.Një ditë më parë kryesia e Partisë Demokratike ka pranuar kërkesat e dy kandidatëve për drejtimin e selisë blu, të kryebashkiakut të Tiranës, Lulzim Basha dhe të Ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi, ndërsa anëtarsia do të votojë më 22 Korrik për lidershipin e ri.