Policia bashkiake rinis aksionin për lirimin e hapësirave publike

Policia bashkiake rikthen edhe një herë kontrollet për shitësit ambulantë dhe baret që me aktivitetin e tyre zënë hapësira publike. Trotuare të zëna që vazhdmisht i shohim me sy të lirë në Tiranë, do tu kthehen qytetarëve, të paktën ky është qëllimi i aksioneve të policisë bashkiake. Nga sheshi “Willson” në drejtim të “Librit Universitar”, kreu i policisë bashkiake Vullnet Topalli tha se do të vijohet me kontrollet përgjatë verës për të eleminuar zënien e hapësirave publike.“Siç e keni konstatuar edhe ju, pothuajse në të gjithë trotuaret e Tiranës, shitës ambulantë, me karroca, me karrige, tavolina, subjekte të ndryshme që zaptojnë trotuaret në mënyrë të paligjshme po vazhdojnë të “goditen” nga Policia Bashkiake. Aktualisht, kemi “goditur” rreth 300 subjekte, qoftë me gjobë, qoftë me konfiskime nga ana e Policisë Bashkiake. Janë raste të përsëritura, pasi kanë refuzuar të zbatojnë urdhrat e punonjësve të Policisë Bashkiake. Ne do të vijojmë sërish, çdo ditë, për të “pastruar” të gjithë trotuaret e Tiranës, në mënyrë që qytetarët e kryeqytetit të lëvizin lirisht. Puna do të vazhdojë jo vetëm në rrugët dhe trotuaret kryesore të Tiranës por edhe në rrugë të ndërmjetme apo brenda blloqeve të pallateve, pasi shitës të ndryshëm ambulantë vazhdojnë të vendosin tavolina dhe karrige apo shesin produktet e tyre në këto trotuare” -u shpreh z. Topalli.Për arsye se kryeqyteti shënon gjithnjë fluks lëvizje dhe ndërtimesh, është e vështirë të gjesh hapësira publike të lira për këmbësorët. Topalli tha se të vetmit që do lejohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre janë lokalet të cilët nuk pengojnë këmbësorët dhe që janë taksa pagues të rregullt.