Beteja për kreun e PD, Olldashi në Fier: Duhet të ngremë themelet për fitoret e ardhshme

Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi, dy kandidatët në garë për marrjen e drejtimit të Partisë Demokratike nisin sot fushatën elektorale në bazë. Si Basha ashtu dhe Olldashi kanë zgjedhur që takimet e para ti kenë në zonat nga ku kanë dalë deputetë.Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, e ka nisur fushatën nga qarku i Fierit. Zona elektorale e dyta më e madhe në vend pas Tiranës, është drejtuar nga Olldashi në dy zgjedhjet e fundit parlamentare, ku në vitin 2009 ai mori gjashtë deputetë, ndërsa në vitin 2013 pesë.Në takimin e parë që pati me bazën në Mallkastër, Olldashi është ndalur në një analizë të humbjes së 23 qershorit, ku ka theksuar rëndësinë e kuptimit të shkaqeve që çuan në disfatë.“Ne i humbën zgjedhjet, por është e domosdoshme të mësojmë pse-në. Përgjegjës për humbjen nuk është Berisha, por të gjithë duke nisur nga ministrant deri tek militantët. Jam futur në garën për kreun e PD,në një moment të vështirë. Kjo është një garë që do t'i shërbejë Partisë Demokratike dhe strukturave të saj. Ne duhet të ngremë themelet për fitoret e ardhshme. Ne e kemi provuar se dimë që të ringrihemi dhe jemi rikthyer me votën e qytetarëve.U kërkoj ndjesë militantëve të PD, që me gjithë punën e madhe nuk i fituam zgjedhjet” tha ai.Edhe në këtë takim Olldashi ka vënë në shënjestër të sulmeve LSI, që në bindjen e tij ishte një kosto për PD, ndërsa shtoi se detyrë e PD është të bindin shqiptarët që vota nuk është mall që shitet.Nga ana tjetër kandidati tjetër në garë, kryebashkiaku Lulzim Basha në orën 19:00 në teatrin “Skampa” do të zhvillojë një takim me anëtarësinë në Elbasan, qarku të cilin ai e kryesoi në vitin 2009 dhe nga ku mori shtatë deputetë, nga 14 që ishin gjithsej.Sa u përket zgjedhjeve, Kryesia e PD-së ka vendosur që në procesin elektoral të marrin pjesë të gjithë anëtarët që kanë marrë teserën deri më 15 maj. Të premten është ngritur në Partinë Demokratike edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili do të administrojë procesin zgjedhor të 22 korrikut.Komisioni do të drejtohet nga sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Gjergj Lezhja, dhe në përbërje të tij do të jenë drejtori i Burgjeve, Gazmend Dibra, ish-deputetja e qarkut të Lezhës, Paulina Hoti, drejtori i OST-së, Arben Ibro, zv.ministri i Arsimit, Halit Shamata, si dhe Gent Minarolli e Barije Isufi. KQZ-ja e PD-së do të asistohet edhe nga dy ndihmësit, Florian Xhuti e Albert Avduli.