Fule: Me anëtarësimin e Kroacisë BE afrohet më shumë në Ballkan

Komisioneri për zgjerimin në Komisionin Europian Stefan Fule ka përshëndetur anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Europian.Në një mesazh të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Europian, Fule thekson se anëtarësimi i Kroacisë tregon fuqinë transformuese të Bashkimit Europian për të gjitha vendet aspiruese.“Bashkimi Evropian shënoi shtetin e 28-të anëtar, pasi Kroacia iu bashkua të hënën. Ky zgjerim i fundit është një tjetër provë e fuqisë transformuese e procesit të pranimit ku vendet që dëshirojnë të bashkohen me BE pësojnë transformim të gjerë në sajë të reformave të cilat përputhen me standardet evropiane. Kjo gjithashtu ripohon se perspektiva e integrimit evropian mbetet e hapur për të gjitha vendet aspirante që të tregojnë vullnetin e duhur për të zbatuar reformat politike dhe ekonomike dhe të provojnë respektin e tyre për vlerat evropiane të tilla si sundimi i ligjit, parimet demokratike dhe të drejtave të njeriut” tha Fule.Sipas Fules, pranimi i Kroacisë në BE forcon stabilitetin në rajon dhe gjithashtu sjell mundësi të reja për bizneset dhe konsumatorët në të dyja anët."Politika e zgjerimit është e besueshme dhe mund të sjellë ndryshim të vërtetë. Kroacia tani është gati për të marrë vendin e saj në mesin e vendeve të Bashkimit Evropian, duke krijuar një Evropë të bashkuar dhe më të fortë. Një Bashkim dinamik që ne të gjithë duam që të ketë sukses. Pra, mirëpresim Kroacinë"  ka theksuar Fule.Komisioneri për zgjerim në KE, Stefan Fule mori pjesë në festimet zyrtare në Zagreb së bashku me përfaqësues të tjerë të institucioneve evropiane.