LSi ndan postet, ministrat jo deputetë, Meta: Bashkëpunim me opozitën

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka folur pasditen e sotme në mbledhjen e kryesisë së LSI-së.
Meta në fjalën e tij ka falandereruar të gjithë përkrahësit e Lëvizjes socialiste për integrim dhe të gjithë qytetarët që votuan për Aleancën e majtë.
“Ky sukses i merituar që ne korrëm, sjell një përgjegjësi më të madhe për të gjithë ne, që do të thotë më shumë urtësi dhe më shumë përkushtim, si dhe një angazhim për të rritur besimin e qytetarëve tek mazhoranca e re dhe LSI-ja.
Mesazhet e qytetarëve kanë qënë të shumta të qarta dhe kuptimplota dhe ne u votuam se ditëm të përcjellim tek qytetarët mesazhin e stabilitetit dhe domosdoshmërisë së bashkëpunimit në jetën politike në mënyrë që vendi të ecë më shpejt drejt forcimit të rendit ligjor dhe juridik, si dhe drejt integrimit.
Nuk është koha për eufori dhe mendjemadhësi pasi ne kuptuam se kjo ishte një votë e qartë kundër arrogancës dhe vetëkënaqësisë. Është koha për përulësi ndaj qytetarëve dhe për një shërbim të përkushtuar për forcimin dhe lartësimin e institucioneve, si dhe për të përmirësuar në thelb qeverisjen e vendit e cila duhet të jetë një qeverisje gjithëpërfshirëse”, u shpreh Meta
Meta: Shqipëria brenda këtij viti do të meritojë statusin e vendit kandidat
Kreu I LSI-së në fjalën e tij u shpreh gjithashtu se me anë të mënyrës së re të qeverisjes që do të ofrojë bashkëpunimi PS-LSI si dhe duke shpresuar dhe në një bashkëpunim me opozitën e re, Shqipëria brenda këtij viti do të mund të marri statusin e vendit kandidat për në BE.
Është koha për një ndryshim të rëndësishëm të mënyrës si duhet bërë politika. Në këtë vend mbret duhet të jetë ligji dhe qytetari dhe jo qeveritarët dhe politikanët. Ne duhet të jemi në shërbim të ligjit dhe qytetarëve dhe kjo është e vetmja rrugë që ne të meritojmë besimin që dhanë qytetarët për LSI-në.
Besoj në një bashkëpunim edhe në opozitën e re në interes të integrimit të vendit, dhe në interes të pjesëmarrjes më aktive të shoqërisë sonë në vendimarrjet që kanë të bëjnë me fatet e vendit, sepse duhet të heqim dorë nga politika përjashtuese dhe antagonuese e cila i ka humbur shumë kohë vendit.
Unë kam besim se duke ecur në këtë mënyrë Shqipëria brenda këtij viti do të meritojë statusin e vendit kandidat”, tha kreu i LSI-së.
Pas mbledhjes me kryesinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka dalë në një konferencë për mediat në të cilën u është përgjigjur dhe pyetjeve të gazetarëve.
“Shpreh falenderimet e mia për të gjithë ata që besuan dhe votuan LSI-në dhe aleancën e majtë. Vendi me zgjedhjet e 23 Qershorit ka hedhur një hap të sigurt jo vetëm për marrjen e statusit kandidat për në BE brenda këtij viti, por edhe për të garantuar një proçes të pandalshëm të zhvillimit dhe të integrimit të plotë në BE.
Kjo votë plebishitare është lexuar në mënyrë të përgjegjëshme dhe kjo konfirmohet edhe nga takimi që unë pata me kreun e PS-së dhe kryeministrin e ardhshëm, Edi Rama. Kjo frymë bashkëpunimi do të dominojë dhe në jetën politike pas 23 Qershorit që Shqipëria të ecë përpara.
Vota e 23 Qershorit do të pasohet nga një angazhim i jashtëzakonshëm për të mbajtur fjalën përpara qytetarëve dhe për të shndërruar këtë moment të ri në një fillim të ri dhe pandalshëm të një Shqipërie Europian", u shpreh Ilir Meta.
"Në takimin që unë pata ditën e sotme me Edi Ramën, kemi rënë dakort për të gjithë vijimësinë e punës dhe të përgatitjeve lidhur me realizimin e tranzicioneve drejt institucioneve të reja. Nuk mund të shtojë asnjë pikë më shumë përveç atyre që janë bërë publike pasi ato janë të vetmet pika që ne kemi diskutuar dhe kemi rënë dakort. Lidhur me çështjen e ndarjes së mandateve, ndarja e mandateve është një hap përpara, nuk është një hap mbrapa, për të rritur rolin e qeverisë dhe maksimizuar energjitë e të gjithë atyre që angazhohen në ekzekutiv, pra të të gjithë ministrave të ardhshëm si dhe njëkohësisht një kontribut për të rritur më tej rolin e parlamentit dhe të të gjithë deputetëve, dhe kjo do të ndihmojë në rolin edhe të ekzekutivit dhe të legjislativit, duke patur parasysh edhe sistemin tonë zgjedhor, i cili nuk është mazhoritar por propocional.
Pavarësisht se ne kemi një mazhorancë të mjaftueshme për të bërë ndryshime edhe në kodin zgjedhor, këto ndryshime nuk kërkojnë vetëm një mazhorancë numerike por edhe Konsensus me opozitën dhe ne do të punojmë për të arritur konsensusin për të bërë ndryshime që i shërbejnë demokracisë në të ardhmen.
Mënyra se si do të sillet PD është një e drejtë ekskluzive e PD-së. Ne shpresojmë për një bashkëpunim sa më të gjërë në interest ë vendit. Integrimi europian është një objektiv I të gjithëve ne dhe duhet të punojmë të gjithë sëbashku.
Nuk është diskutuar asnjë çështje për postet ministrore. Çështja e bashkëqeverisjes nuk është një çështje përqindjesh, përkundrazi është një çështje e një vullneti të përbashkët për të nisur në Shqipëri një politkë të re mbi bazën e bashkëpunimit dhe në funksion të interesave të vendit dhe qytetarëve. Kjo do të jetë ajo që do të sjelli rezultatet që priten", u shpreh kreu i LSI-së.

