Basha: Deri në 2015, do të përfundojë ndërtimi infrastrukturës në çdo cep të Tiranës

Me një investim prej 20,9 milionë lekësh, Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e rrugës së “Bogdanëve”, një rrugë që shtrihet në zemër të kryeqytetit dhe lidh rrugën e “Durrësit” me atë të “Kavajës”. Përgjatë kësaj rruge me gjatësi 333 metra, përveç trotuareve janë ndërtuar kanalizimet e ujërave të bardha, gjelbërimi, etj. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka bërë të ditur se në proces përfundimi në kryeqytet, janë edhe 15 rrugë të tjera të cilat së bashku me rrugët që kanë përfunduar deri tani, kanë përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetës së banorëve.“Përfundimi i rrugës së “Bogdanëve” na jep kënaqësinë e veçantë, që së bashku me banorët, të shikojmë se sa mirë është bërë kjo punë, sa shpejt është bërë kjo punë, të kujtojmë si një të kaluar që s’do kthehet, faktin që rruga ka qenë paprekur për dy dekada me radhë. Kujtoj këtu, se në këtë zonë të Tiranës, me të njëjtat parametra kemi përfunduar edhe tre rrugë të tjera dhe e katërta përfundon në dy ditët e ardhshme, ndërkohë që anembanë kryeqytetit, Bashkia e Tiranës po përfundon afro 15 rrugë të tjera, çka është edhe fundi i paketës investitore të vitit 2012. Njëkohësisht, ka nisur 11 projekte dhe do të nisë deri në gusht edhe 40 projekte të tjerë, çka është edhe paketa investitore e vitit 2013” – deklaroi Basha.Kryebashkiaku Basha ka shprehur synimin e Bashkisë së Tiranës, që deri në 2015, të përfundojë ndërtimi i infrastrukturës në të gjithë qytetin.“Synimi ynë është që kjo cilësi punimesh, të shtrihet në çdo skaj të qytetit të Tiranës dhe brenda vitit 2015, në asnjë cep të Tiranës, në qendër apo periferi të mos ketë më investime publike të pakryera, në kuptimin e asfaltimit, trotuareve, natyrisht ujësjellësit, kanalizimit, ndriçimit, gjelbërimit dhe hapësirave publike. Siç e thashë, kjo përfshin çdo centimetër katror të qytetit të Tiranës” – u shpreh kreu i Bashkisë Lulzim Basha.Data: 22 qershor 2013