Dhunohet komisioneri i PS në Kukës, policia: S’ka arsye politike, motive të dobëta

Një komisioner i Partisë Socialiste në fshatin Nangë, të komunës Bicaj të rrethit të Kukësit, është dhunuar me tytë pistolete. Ngjarja, sipas komisionerit Petrit Hereni, ka ndodhur në orën 04.00 të mëngjesit, kur katër persona, bashkëfshatar të Herenit, e kanë sulmuar në oborrin e shtëpisë së tij, kur ka qenë duke fjetur bashkë me familjen. Sipas të dëmtuarit, katër autorët e kanë kërcënuar atë se nëse do flasë ata do e vrisnin.Nga ana tjetër policia e Kukësit, më shumë se 5 orë pas ngjarjes së ndodhur në fshatin Nangë, ka dalë me një version zyrtar ku mohon dhunën që mund t'i jetë ushtruar 46-vjecarit nga një bashkëfshatar i tij, për motive politike. Policia saktëson se Komisariati i Policisë ka filluar procedimin penal, në gjëndje të lirë në ngarkim të shtetasve: Petrit Hereni 46 vjeç, që është edhe komisioneri i opozitës dhe Lumir Gashi 28 vjeç.Po sipas policisë procedimi penal në ngarkim të tyre ka filluar pasi rreth orës 04:30 në fshatin Nangë, këta shtetas janë grindur midis tyre për motive të dobëta.Policia shton se shtetasi Petrit Hereni ka kanosur me armë gjahu shtetasin Lumir Gashi, ndërsa ky i fundit i'a ka rrëmbyer armën e gjahut nga duart dhe e ka goditur me grusht shtetasin Petrit Hereni. Në fund të deklaratës policia thotë se janë kryer veprimet e para hetimore dhe materialet proceduriale i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Kukës.