Rama: Do çlirojmë robërit nga katragjyshi, Tirana kryeqyteti i Rilindjes më 23 qershor
Nën një dekor në ngjyrën simbol të partisë dhe një pjesmarrje masive të simpatizantëve dhe mbështetësve të saj, PS ka mbyllur fushatën elektorale në kryeqytet, ndërsa risolli edhe njëherë në vëmendje listën e plotë të kandidatëve që garojnë për këtë qark në 23 qershor.



Kanë qenë pikërisht këta të fundit që u kanë uruar mirëseardhjen qytetarëve, ndërsa i kanë ftuar ata të votojnë rilindjen dhe numrin 29.

“Mirëserdhët në amfiteatrin e historisë. Edhe 2 ditë, edhe 2 ditë dhe masa e madhe e popullit shqiptar për ndryshim do të derdhet drejt kutive të votimit për të votuar 29-n tonë të dytë në histori. Ata e dimë mirë se nuk mundem ta blejnë votën. Do vijnë të trokisni të premten e të shtunën me pyetjen a do na jepni votën dhe përgjigjen do ta marrin në datën 23 qershor. Ata do t’ju drejtohen me pyetjen a do ja jepni votën dhe do ta marrin përgjigjen. Ta dinë të gjithë se vota e shqiptarit nuk është votë skllevërish që shiten. Nuk do të kalojmë një rend skllavopronar. Një përshëndetje për Prishtinën, Kosovën, Shkupin dhe për të gjithë emigrantët tanë, që do vijnë për të votuar historinë. Edhe 2 ditë ne do drejtohemi nga kutitë e votimit, për të vendosur kryqin që është kryqi i të ardhmes së fëmijëve tanë për Shqipërinë. 29-ta është më shumë se një numër. 29 është një histori, është fundi i ndarjes në ne dhe ata, është ndryshimi, shpresa, është ëndrra” tha Pandeli Majko, që kryeson dhe listën e PS për Tiranën.
Vetë shefi i selisë rozë, në fjalën e tij garantoi kryeqytetasit, të cdo prejardhje krahinore, përkatësie partiake, fetare, moshe dhe gjinie, se me PS në pushtet, do të kenë në krah një qeveri që hallet dhe problemet e tyre do t’i bëjë të vetat.

Nga sheshi “Nënë Tereza”, Rama akuzoi Berishën se duart e tij janë të zhytura në zullum dhe mëkat, ndërsa ripërsëriti se Kryeministri nuk ka më mbështetjen as të partnerëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë.
“Amerika ia ka hequr vizën Saliut, shqiptarët e dinë. A ju kujtohet 4 vite më parë, thoshte shiko, i kemi duart e pastra, nuk i bëmë gjërat këto 4 vjet, por bota na beson, na besoni edhe ju, ku e ka botën sot? Ato duar nuk kanë asgjë tjetër përveç gjithë rrugëve të rrënimit në vend, ekonomisë, shoqërisë, demokracisë, ëndrrës evropiane, ato duar janë të zhytura në zullum e mëkat, 8 vjet me rradhë, ndaj dhe bota se beson, dhe nuk e takon, sepse bota ku duam të shkojmë nuk mund t’i shtrëngojë më ato duar”- tha Rama.
Kryesocialisti theksoi ndër të tjera se premtimi i Berishës për heqjen e vizave me SHBA-në është premtim bosh, sepse në fakt Amerika, sipas tij, ia ka hequr vizën Berishës.
Kreu socialist akuzoi sërish Kryeministrin se gënjen kur thotë se ka rritur mirëqënien prej rritjes së pagave, pasi sipas tij “cmimet janë rritur më shumë, gënjen kur thotë se do të trefishojë grantet, sepse fermerët po jetojnë cdo vit dhe më keq, gënjen kur thotë se jeta e shqiptarëve është përmirësuar, sepse shumë prej tyre jetojnë me borxhe dhe me lista në dyqanet e ushqimore”.
Rama premtoi sërish nga Tirana se Partia Socialiste do të bëjë legalizimet falas, ndërsa theksoi se Berisha gënjen kur premtoi se do ta kryejë këtë proces brenda 6 muajsh."Pse nuk e bëri Berisha për 8 vjet me radhë këtë gjë? Pse nuk e përmbushi këtë premtim në mandatet e shkuara? Brenda mandatit të parë të gjithë ata që kanë ndërtuar shtëpitë e tyre duke ardhyr nga veriu dhe nga jugu për një jetë më të mirë do të kenë në dorë titullin e pronësisë së patundshme për pronën e tyre. Të gjithë ata që jetojnë me punën e tokës dhe që prej 20 vitesh po presin të marrin certifikatën e tokës, do ta kene në dorë këtë dokument", premtoi Rama.