Berisha mbyll fushatën në Durrës: Besoni 44, kujdes nga 29. Sjell vetëm dështim
Aktivitetet përmbyllëse elektorale të së enjtes, Partia Demokratike i ka kurorëzuar me një miting madhështor në qytetin bregdetar të Durrësit.

Nga ky qytet, lidershipi i mazhorancës Berisha ka ftuar qytetarët bregdetarë ti besojnë 44, që rastësisht është dita e lindjes së tij, por dhe viti i lirisë së shqiptarwve. Kryeministri lëshoi një ftesë për të gjithë shqiptarët socialistë dhe pa parti të bashkohen me programin e PD, të votojnë 44 në 23 qershor.

“Vota juaj në 23 qershor do jetë votë për vokacionin e shpirtit tuaj perëndimor, për të marrë statusin kandidat, hapjen e negociatave me BE. Miqtë e mi, për ju dhe gjithë shqiptarët dua t’ju pohoj se gjithnjë jam përpjekur por kam patur dhe fat, dhe fati më i madh është 44, se linda në ‘44. 44 është numri i lirisë së shqiptarëve, i ngadhënjimit të tyre. Lexoni pak për 29, 29 është dështimi, është Edi Rama, kujdes, kujdes prej atij numri. Nuk ka mbarësi, ka dështim. Shqiptare e shqiptarë, socialistë e pa parti bashkohuni me ne për mirëqënien, punësimin, zhvillimin dhe integrimin në BE” tha ai.
Kryeministri Sali Berisha, duke folur në mitingun përmbyllës në Durrës, u zotua për rritje të rrogave dhe pensioneve, shtimin e investimeve, hapjen e vendeve të reja të punës, zhvillimin e turizmit dhe mbështetje për bizneset e fermerët.

