Presidenti Nishani pret Ministrin Hoxha: Më shumë bashkëpunim Shqipëri-Kosovë

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi sot një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, zotin Enver Hoxhaj.Duke sjellë në vëmendje Pavarësinë e Kosovës e shpallur mëse katër vjet më parë, Presidenti Nishani vlerësoi hapat e shtetit të ri në zhvillimin e demokracisë dhe konsolidimin e institucioneve të shtetit të së drejtës, të cilat u njohën edhe nga komuniteti ndërkombëtar nëpërmjet heqjes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.Më tej, Presidenti Nishani rikonfirmoi angazhimin e tij institucional dhe personal në mbështetje të procesit të njohjes, të përfshirjes së Kosovës në nismat rajonale dhe më gjerë si dhe të integrimit të saj euroatlantik.Në planin e bashkëpunimit dypalësh, Kreu i Shtetit u shpreh se institucionet e të dyja vendeve duhet të shohin mundësitë e zgjerimit të bazës ligjore, rritjes së shkëmbimeve ekonomike dhe të koordinimit të nismave me karakter rajonal e më gjerë.Nga ana e tij, Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj pasi e falenderoi Presidentin Nishani për angazhimin e tij në mbështetje të shtetit të Kosovës vuri në dukje se heqja e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës ka zgjeruar pavarësinë dhe sovranitetin mbi vendin dhe ka rritur përgjegjësinë e institucioneve të Kosovës.Publikimi i Studimit të Fizibilitetit për Kosovën nga Komisioni Evropian, që do të bëjë të mundur nënshkrimin e MSA-së, sipas ministrit Hoxhaj rrit bashkëpunimin e Kosovës me Brukselin, bashkëpunim që i shërben jo vetëm integrimit evropian por edhe njohjes së Kosovës nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian dhe më gjerë, të cilat ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë.Kreu i Shtetit shqiptar dhe kreu i diplomacisë kosovare ndanë mendimin se Kosova është një realitet që i kontribuon stabilitetit dhe bashkëjetesës në rajon dhe se politika e fqinjësisë së mirë dhe e dialogut janë parimet bazë të politikës rajonale të Shqipërisë dhe Kosovës.Bashkëbiseduesit gjithashtu rikonfirmuan domosdoshmërinë e dialogut Prishtinë-Beograd, zbatimin e marrëveshjeve të deritanishme dhe vendosmërinë e shteteve të tyre kundër ndryshimit të kufijve aktualë në rajon.