Rama, Hoxhaj: PS, vullnet të palëkundur për intensifikimin e marrëdhënieve

Në takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama përshëndeti progresin e arritur nga shteti i Kosovës në drejtim të konsolidimit të mëtejshëm të institucioneve demokratike, shtetit ligjor, si dhe avancimin lidhur me njohjet e reja ndërkombëtare. Kryetari Rama shprehu vullnetin e palëkundur të Partisë Socialiste për të intensifikuar marrëdhëniet midis të dy vendeve në të gjitha fushat.Ministri i Punëve të Jashtme Hoxhaj përcolli përshëndetjet e Kryeministrit të Kosovës dhe falenderoi Partinë Socialiste për angazhimin e saj në drejtim të njohjeve të mëtejshme të Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizata të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare. Gjithashtu, Ministri i Punëve të Jashtme Hoxhaj përshëndeti progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian duke vënë dukje rolin thelbësor që ka luajtur Partia Socialiste në këtë proces.Kryetari i PS Rama e siguroi Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës që Partia Socialiste do të vazhdojë përpjekjet intensive në kanalet e saj diplomatike për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Partia Socialiste përshëndet dhe mbështet progresin e arritur nga populli dhe qeveria e Kosovës në drejtim të përmbushjes së standardeve për avancimin e axhendës së saj euro-atlantike.