Berisha-Hoxha: Shqipëria do të mbështesë Kosovën në rrugën e integrimit

Kryeministri Berisha priti sot në një takim, Ministrin e jashtëm të Republikës së Kosovës, zotin Enver Hoxhaj.Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë dhe vlerësimin e tij për zhvillimet pozitive në konsolidimin e pozicionit të shtetit të Kosovës në rajon dhe në botë, si rezultat i politikave dhe reformave që po ndërmerren në të gjitha fushat. “Populli i Kosovës dhe lidershipi i saj po dëshmojnë para botës shembullin më të mirë në ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit të lirë, shembull paqeje dhe stabiliteti në rajon” u shpreh, në këtë kontekst kryeministri. Kryeministri Berisha i përcolli Ministrit të Jashtëm Hoxhaj përshëndetjet më të përzemërta për Presidenten e Kosovës Jahjaga, Kryeministrin Thaçi dhe mbarë qytetarët e Kosovës.Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm Hoxhaj falenderoi kryeministrin Berisha për pritjen miqësore dhe i shprehu atij mirënjohjen e qeverisë së Kosovës dhe të gjithë popullit të saj për rolin dhe kontributin e madh që Kryeministri Berisha personalisht dhe qeveria shqiptare kanë luajtur në procesin e njohjes së shtetit të Kosovës, si dhe për ndihmesën dhe mbështetjen e rëndësishme në konsolidimin e institucioneve të këtij shteti dhe integrimit të tij rajonal e më gjerë.Në takim u vlerësua intensifikimi i bashkëpunimit frytdhënës mes dy vendeve, në të gjitha fushat i cili po njeh çdo ditë e më shumë nivele të reja, si rezultat i zbatimit të marrëveshjeve të përbashkëta të nënshkruara tashmë dhe atyre që pritet të nënshkruhen në të ardhmen. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha vlerësoi protokollin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë që do të nënshkruhet së shpejti në fushat ekonomike, të arsimit, kulturës dhe turizmit, i cili nëpërmjet vendosjes së standardeve të unifikuara, do të bëjë të mundur eliminimin e pengesave burokratike dhe do të nxisë më tej, rritjen e shkëmbimeve në këto fusha.Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria drejt integrimit në BE dhe së bashku me kryeministrin Berisha ripohuan se e ardhmja më e mirë e të dy vendeve Kosovës dhe Shqipërisë, por dhe e të gjithë vendeve të rajonit është dhe mbetet integrimi i tyre në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, zoti Hoxhaj vlerësoi shumë të rëndësishme mbështetjen që qeveria shqiptare mund të japë në drejtim të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe të nënshkrimit nga ana e Kosovës së marrëveshjes së Stabilizim-Associimit, duke ofruar përvojën e saj në këtë drejtim.Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare do të vazhdojë të mbështesë qeverinë e Kosovës në këto hapa të rëndësishme drejt integrimit evropian, me besimin se ky është interesi më i mirë për çdo qytetar të këtij vendi dhe shqiptarët në tërësi.Gjatë këtij takimi, Ministri Hoxhaj e informoi Kryeministrin Berisha edhe lidhur me takimet e zhvilluara mes Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi dhe Kryeministrit të Republikës së Serbisë, z. Ivica Daçiç, duke theksuar se këto bisedime u zhvilluan duke patur në themel Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Paketën Ahtisari. Kryeministri Berisha u shpreh se ai dhe qeveria shqiptare i kanë përshëndetur zhvillimet e këtyre bisedimeve dhe i mbështesin ato duke theksuar se këto bisedime duhet ti përmbahen dhe respektojnë marrëveshjet ekzistuese të nënshkruara midis dy vendeve.