Qytete pa Kinema
Në një nga shkrimet e publikuara në gazetën “Idea” shkruhej se premiera e filmit të ri të 007, agjentit sekret britanik, ne serinë e tij të 23-të, me titullin “Skyfall”, bëri që sallat e rrjetit të kinemave të Tiranës të mbusheshin plot me njerëz që u përkasin grupmoshave të ndryshme. Ky film, pas një suksesi të jashtëzakonshëm në Britani dhe Amerikë, duket se ka pasur sukses edhe në Tiranë gjatë ditëve të para të shfaqjes. Por, përtej suksesit të merituar të vetë filmit, suksesi më i madh, në kontekstin shqiptar, është fakti që shoqëria jonë po tregon një etje të pashoqe për këto privilegje të vogla të jetës kulturore që ofron civilizimi.Hera-herës krijohet një perceptim i gabuar se shoqëria jonë është indiferente ndaj jetës kulturore në përgjithësi, por ky perceptim është tërësisht i gabuar, pasi shqiptarët e duan kulturën, por ata janë të privuar prej saj pasi, si në këtë rast, James Bond ka shkelur në Tiranë dhe jo në të shumtën e qyteteve të tjera të Shqipërisë, dhe kjo për një arsye shumë të thjeshtë, në këto qytete nuk ka kinema.Është tragjike që në shumicën e qyteteve kryesore të vendit, ku popullata arrin në qindra mijëra banorë, nuk ka as kinema dhe as teatër. Justifikimi, sigurisht, është që nuk ka fonde, ose që qytetarët nuk kanë interes për jetën kulturore. Kjo e fundit është thjesht një gënjeshtër dhe mungesë serioziteti, pasi shqiptarët, më shumë se çdo popull tjetër, kanë dëshmuar gjatë pesëdhjetë viteve të regjimit komunist se edhe diktatura më e ashpër në botë nuk mund t’i ndalojë as nga librat dhe as nga filmat dhe muzika. Këtu kujtojmë, paksa edhe me nostalgji, librat e ndaluar që qarkullonin fshehurazi gjatë atyre viteve, festivalet e San Remo, dhe filmat e kanaleve të huaja që shiheshin fshehurazi dhe me mjete rrethanore. Shqiptarët rrezikuan jetën dhe lirinë për pak kulturë ndaj perceptimi se nuk janë kulturëdashës është tërësisht i gabuar.Pra, mbetemi tek e para, që qeverisja lokale është indiferente, e paaftë dhe e paiinteresuar të stimulojë kulturën në qytetet e tjera të Shqipërisë, edhe kur këto qytete mbartin në vetvete kulturat dhe historinë e mijëra viteve civilizim siç janë Berati, Durrësi, Gjirokastra etj.Është tragjike që në këtë epokë të zhvillimit teknologjik vizioni i pushtetit vendor në disa qarqe dhe qytete të vendit është ende shumë primitiv. Kultura nuk është luks, por domosdoshmëri. Ajo shihet si luks vetëm prej atyre që nuk e dinë se çfarë është kultura. Drejtuesit vendorë kanë nevojë për vizion të ri dhe frymë emancipuese. Sigurisht që kjo është një nismë e vështirë, por asnjë kryetar bashkie nuk është zgjedhur për të bërë punë të lehta, por për të arritur iniciativa të vështira.Edhe përplasja midis pushtetit vendor dhe atij qendror, apo mungesa e fondeve nuk ka justifikim. Regjimi komunist kishte buxhet më të vogël sesa sot megjithatë edhe qytetet më të vogla të Shqipërisë kishin kinema dhe teatër. Asaj kohe këto përdoreshin për të shfaqur propagandën komuniste tani le të përdoren për të emancipuar shoqërinë në çdo skaj të vendit.Nëse hapja e një kinemaje mund të duket e vështirë për drejtuesit e bashkive në rrethe, ne të gjithë mund ta imagjinojmë se sa të aftë janë ata për nisma edhe më të vështira. Është për të ardhur keq që vakumi i aktiviteteve kulturore është mbushur me kafenetë, bilardot, pijetoret, lojërat e fatit dhe lotot sportive, të cilat jo vetëm nuk kontribuojnë në emancipimin qytetar, por hapin plagë edhe më të thella sociale, si për shembull, dhuna në familje. Administratorët e qyteteve janë fajtorët e neglizhencës ndaj promovimit të kulturës në qytetet pa kinema apo teatër.James Bond erdhi në Tiranë, por jo në pjesën tjetër të Shqipërisë. Agjenti i famshëm sekret britanik nuk arriti dot as në qytetet më të afërta të vendit, por kryetarët e bashkive dhe komunave, në kohë zgjedhjesh arrijnë të depërtojnë derë më derë në kthinat më të largëta të Shqipërisë! Atëherë, kush janë agjentët e vërtetë 007?Burimi