Tirana tenton mrekullinë, sfida me Besiktas, Shehi: Synimi është të kthejmë rezultatin
Tirana do të tentojë sonte në mbrëmje të bëjë mrekullinë ndaj Beshiktashit, duke kërkuar përmbysjen e madhe dhe kualifikimin për më tej në Ligën e Konferencës. Trajneri i bardhebluve, Orges Shehi beson te kthimi i rezultatit.
Tirana do të luajë shansin e saj të fundit, për të vijuar rrugëtimin në Kupat e Europës. Bardheblutë do të tentojnë të bëjnë mrekullinë dhe të përmbysin rezultatin e sfidës së parë ndaj Beshiktashit, duke u kualifikuar për në raundin e tretë të Ligës së Konferencës.
Beshiktashi zbret në “Air Albania” me një avantazh 3-1 në ndeshjen e parë, por Tirana do të tentojë gjithçka deri në fund, pasi të besuarit e Orges Shehit nuk kanë asgjë për të humbur.
Edhe pse dihet forca e kundërshtarit dhe rezultati i ndeshjes së parë, skuadra jonë kryeqytetase do të hyjë në fushë më kokën lart.
Përpara duelit, në konferencë për shtyp foli trajneri i ekipit bardheblu, Orges Shehi i cili u shpreh se beson te kthimi i rezultatit.
Orges Shehi: Do të kërkojmë të jemi në vazhdën e ndeshjeve të fundit, edhe pse jemi koshientë që kemi përballë kundërshtar të fortë. Ta nisim ku e lame në ndeshjen e parë. Shpresoj që të kemi një skuadër me ekuilibër, sepse ekuilibri është shumë i rëndësishëm përballë kundërshtarëve të tillë. Sigurisht që ndeshjet më pas vendosen nga episode. Ekipe me buxhete të tilla është më mirë t’i përballësh më vonë. Me përvojën që kam unë, është hera e parë që përballemi me kundërshtar të nivelit të tillë.
Do të futemi në fushë për të dhënë më të mirën, me synimin për ta kthyer rezultatin. Shanset varen nga situatat që do të krijohen gjatë lojës, që të afrojnë apo të të largojnë nga objektivi.
Nga ana tjetër tekniku i klubit nga Stambolli, Senol Gynesh vlerësoi skuadrën e Tiranës dhe menaxherin e saj.
Senol Gunesh: Duke parë nga ndeshja e parë Tirana është ekip që luan në grup. Zhvillon lojën e saj dhe ka lojtarë të mirë. Ne duam kualifikimin dhe rezultatin tonë. Ne njohim Abazajn dhe Selmanin që kanë luajtur në Turqi. Ata luajnë në grup dhe është gjë e mirë. Me sa kam arritur të studioi Tiranën, Shehi ka bërë një punë të mirë duke parë dhe sezonin e shkuar ku ka zhvilluar ndeshje të mira në kampionat dhe Europë. Tirana është ekip kompetitiv por jo në nivelin e Besiktas. Në raport me ne është një skuadër e vogël. Ka bërë shumë zhvillime dhe i uroj suksese trajnerit Shehi.
Takimi Tirana-Besiktas do të luhet sonte në mbrëmje në orën 20:00.
