Partizani ndryshon shumë pak, në Andorra trajneri Zekic bën pak modifikime dhe premton skuadër ndryshe
Nuk do të ndryshojë shumë Zoran Zekic krahasuar me sfidën e fundit që Partizani humbi në Hungari me BATE Borisov.
Për duelin kundër Atletic D’escalades, trajneri kroat i kampionëve të Shqipërisë do të vendosë bast te 10 nga 11 lojtarët që e nisën nga minuta e parë edhe pse u mundën 2-0 dhe u eleminuan nga Champions League.
Qirko në portë me Sotën, Hadrojin dhe Atanaskoskin në mbrojtje ku ndryshimi i vetëm do të jetë Sembene në stol dhe 28-vjecari kroat Mateo Kocijan që do ta zëvendësojë.
Tre mesfushorët e Zekic janë sërish Mehmeti përpara mbrojtjes dhe Murataj e Rrapaj më të orientuar drejt sulmit.
Në repartin e avancuar Grezda do ta nisë sërish nga stoli pasi nuk e ka arritur ende gjendjen optimale fizike ndërsa ku Mba do të mbështetet sërish nga Da Silva dhe Cara.
Zoran Zekic:
“Ajo që është më e rëndësishme është që këtu duhet të jemi të përqendruar maksimalisht dhe të luajmë lojën tonë. Të tregojmë autoritet në ndeshjen e nesërme.
Sot do të zhvillojmë edhe seancën e fundit. Deri tani të gjithë lojtarët janë të gatshëm. Kemi luajtur dy ndeshje dhe shpresoj që të mos kemi asgjë serioze për ndeshjen e nesërme.
Për këtë duhet të flasim pas ndeshjes së parë. Janë dy përballje për t’u luajtur, do të fokusohemi te ndeshja e nesërme. Kemi analizuar kundërshtarin gjatë këtyre ditëve. Nesër duhet të mendojmë për paraqitjen tonë dhe të jemi gati për çdo gjë që mund të ndodhë gjatë ndeshjes”.
