EL CLASICO-MBAPPE/ Barcelona bën lëvizjen e papritur për t’i prishur planet Realit

Çështja “Mbappe” merr përmasa më të mëdha se Franca pasi emri i sulmuesit ka futur në “sherr” edhe dy skuadrat më të titulluara të Spanjës.

Kur mendohej se Reali e kishte në dorë asin e PSG, ndoshta duhet të riprogramojë gjithçka pasi gjatë orëve të fundit për numrin 10 është interesuar edhe Barcelona që ka nisur kontaktet me drejtues të lartë të klubit francez.

Mbappe nuk ka udhëtuar në Japoni me skuadrën dhe rrezikon të qëndrojë në tribunë gjatë gjithë sezonit, por çështja e tij mund të marrë edhe një kthesë të paplanifikuar më parë e këtu nuk bëhet fjalë për ofertën arabe që e josh dhe jo pak PSG-në.

Sipas të përditshmes “L'Equipe”, PSG dhe Barcelona kanë krijuar një kanal diplomatik bisedimesh.

Katalanasit të dobët financiarisht nuk mund ta përballojnë këtë operacion me para kesh por në tryezë kanë vendosur disa emra shumë të rëndësishëm që PSG i vlerëson. A do të funksionojë kjo strategji? Ende nuk ka asnjë sinjal të qartë.