Laçi zhyt Teutën, Shkurtaj hero në fundin e takimit
Vasil Shkurtaj dhe i përhershmi Saliou Guindo rikthejnë buzëqeshjen në kampin laçian. Skuadra e Stavri Nicës në kthimin e tij të radhës, mundi Teutën 2-1 në “Niko Dovana” në një ndeshje që u mendua e humbur pasi Daci kaloi në avantazh skuadrën e Martinit në minutën e 65 por më pas dy bomberat bardhezi shënuan në 14 minutat e fundit.
Afrikani realizoi nga pika e bardhë ndërsa në frymën e fundit Shkurtaj i dhuroi tre pikë ekipit mik dhe zhyti edhe një herë në zonën play-out Teutën. Pas kësaj disfate, skuadra durrsake rikthehet në vendin e tetë me 34 pikë, vetëm 5 larg Bylisit që numëron një ndeshje më pak për shkak të anulimit të sfidës me Kastriotin.
Në krahun tjetër, Laçi është ngjitur në vendin e gjashtë me 36 pikë dhe mund të shpresojë te Europa në 8 javët e ngelura.
