VIDEO/ Vllaznia, prezantohet Sedloski, trajneri që merr përsipër të "rindezë" shkodranët
Në konferencën e shtypit një ditë përpara sfidës me Erzenin në Shkodër, Vllaznia prezanton trajnerin e tretë të sezonit qe nuk është mbyllur ende.
Goce Sedloski u prezantua nga drejtori sportiv, Vioresin Sinani, i cili deklaroi se klubi ka vendosur të vazhdojë rrugëtimin me një trajner me eksperiencë dhe kjo sipas ish-sulmuesit, është zgjedhja e duhur.
48- vjeçari shpalli Shkupin kampion sezonin e kaluar në Maqedoninë e Veriut, ndërsa në 9 ndeshjet e fundit të këtij sezoni ka detyrën e vështire të kualifikojë Vllazninë në Europë.
Shkodranët vijnë pas 6 ndeshjeve pa fitore dhe sfida me Erzenin është një përballje direkte për vendin e 4 të klasifikimit ndërsa në mesin e muajit do të luajnë edhe sfidën e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë kundër Egnatias.
Goce Sedloski:
“Faleminderit shumë që keni ardhur këtu sot. Është hera e parë që jam këtu. Kam luajtur vetëm një hërë në Shqipëri, nuk e mbaj mend në cilin qytet. Jam shumë i kenaqur që m’u dha mundësia të jem trajner i Vllaznisë. Më është thënë shumë hera që Vllaznia është një ekip shumë i mirë.
Ka patur një krizë kohët e fundit, kështu që duhet të ngrihemi shumë shpejt. Normalisht që nuk do të mund ta ndryshoj situatën brënda 2-3 ditëve, por do të përpiqem të bëj më të mirën për aq kohë sa na ka mbetur. Duhet të mbështesim njëri-tjetrin. Duhet të punojmë fort këto dy muaj që kanë mbetur dhe do të arrijmë aty ku klubi dëshiron.
Ekipi ka krizë në rezultate dhe është një detyrim i joni të dalim sa më shpejt nga kjo situatë. Kemi një ndeshje mjaft të vështirë. Duhet t’i marrim të gjitha një nga një.
Me çfarë kam parë në stërvitje, ekipi ka lojtarë mjaft të mirë, por ata duhet të jenë të aftë të bëjnë atë çfarë unë kërkoj. Jemi një grup, por duhet të marrim rezultate. Natyrisht që më duhet kohë që t’i njoh lojtarët plotësisht.
Lojtarët duhet të djersisin për atë fanellë. Me aq sa kam parë, kampionati është shumë i fortë, por ne kemi kualitet të lartë në ekip. Tifozët duhet ta ndjejnë që ne po përpiqemi. U bëj thirrje të jenë nesër në stadium, pasi ato janë lojtari i 12-të i joni dhe janë një pikë e fortë mbështetjeje për ekipin.
Nga lojtarët kam kërkuar që për aq minuta sa janë në fushë, të japin maksimumin dhe të lodhën për këtë fanellë, për këtë klub. Nëse ato japin atë çfarë unë kërkoj, rezultati do të jetë pozitiv. Kanë mbetur 9 ndeshje, por nuk e njoh mirë kampionatin, kështu që do t’i marr ndeshjet me rradhë.
Nuk është koha të flasim për titullin kampion, por t’i marrim të gjitha me kujdes. Ky kampionat është shumë interesant. Me 2-3 ndeshje mund të arrish vendin e parë, por edhe të biesh në të fundit. Ka akoma ndeshje për të luajtur, do të shohim deri në fund. Me sa kam parë, Partizani dhe Tirana janë skuadra mjaft të forta, por unë fokusohem te ekipi im dhe loja që ne do të bëjmë. Duhet respektuar çdo ekip, por i pari vjen ekipi im.
Shpresoj që ndeshja e neserme të jetë një tjetër festë, përpos asaj të Pashkëve. Nëse sezoni mbyllet mirë, do të rinovoj përsëri, por na mbetet të shohim rezultatet. Kam dëgjuar se Vllaznia ka një tifozëri të zjarrtë dhe në stadium ka një numër të lartë tifozësh. Futbolli luhet për tifozë, kështu që ju bëj thirrjë përsëri të vijnë të na mbështesin”.
