Shqiptari i vrarë në Greqi shkoi për të parë ndeshjen, sherri plasi nga një grup tjetër shqiptarësh për pazare droge

Një bandë e përfshirë në trafikun e drogës duket se kanë qenë shtatë shqiptarët që të martën mbrëma (21 shkurt) u përleshën në një kafene kur njëri prej tyre hapi zjarr dhe humbi jetën një klient që ishte aty për të parë një ndeshje futbolli.

Policët që po trajtojnë rastin, përveç xhipit të gjetur në afërsi të kafenesë së rrugës Kastamonis dhe që dyshohet se i përkiste njërit prej 7 shqiptarëve, kanë gjetur edhe një veturë Mercedes e cila dyshohet se i përkiste edhe njërit prej tyre.

Mjeti konkret është përmendur në deklaratat e banorit të zonës i cili ka përshkruar atë që ka parë në minutat e para pas ngjarjes së përgjakshme të së martës mbrëma.

Megjithatë, për momentin, shtatë shqiptarët nuk janë identifikuar, ndërsa identiteti i viktimës, po ashtu me origjinë shqiptare, i moshës rreth 30-35 vjeç, i cili mbeti i plagosur rëndë në klavikul dhe ndërroi jetë në spital është ende një mister.