Tërmeti tragjik në Turqi në sytë e mjekut turk që iu bashkua operacionit të shpëtimit: Për 4-5 orë nuk lidhesha me familjen time
Tërmeti në Turqi dhe Siri shkaktoi dëme, por shumë njerëz humbën jetën.
Në operacionet e kërkim-shpëtimit u angazhua edhe Shqipëria e cila dërgoi një ekip në Turqi, ku dha ndihmën e tij për nxjerrjen e personave të bllokuar nga tërmeti i 6 shkurtit.
Ekipet tona do të ktheheshin në Shqipëri pas 12 ditësh, dhe për të mësuar më shumë mbi përjetimet e kësaj drame që tronditi mbarë botën të ftuar në emisionin “Ditë e re” në RTV Ora ishin Nebi Muçaj, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Vullnetare të Urgjencave dhe mjeku turk Taner Akdamar, i cili prej vitesh jeton në Shqipëri, por që iu bashkua kësaj Qendre për t’iu ardhur në ndihmë sadopak bashkatdhetarëve të tij.
“Kur ra tërmeti në orën 4 të mëngjesit me orën e Turqisë. Në atë moment normalisht që po flija gjumë dhe më morën në telefon. Këto qytete janë të mëdha me mbi 20 milionë banorë, familjarët e mi ndodhen të shpërndarë në 3 qytete që u prekën nga tërmeti.
Kaq të fuqishëm nuk kanë qenë tërmetet, ndodhin në Turqi, por asnjëherë në këto përmasa. Mbase ai i vitit 1999 që ra në Stamboll mund të krahasohet me këtë tërmet.
Ndërkaq ër afro 4-5 orë nuk arrinim dot të lidheshim me motrat dhe vëllezërit dhe ishin orë të gjatë. Ishte një tragjedi shumë e madhe, e cila vazhdon akoma sot, pasi gjysma e popullit është brenda dhe gjysma tjetër flen jashtë.
Motra jeton në Hatay, dhe u lidhëm pas shumë orësh. Pastaj kur komunikuam me ta u qetësuam disi. Ishin shumë të frikësuar, madje akoma goditja psikologjike është shumë e madhe. Edhe pse shtëpia ime atje është njëkatëshe, prapë ato refuzojnë të futen.
Edhe në këto momente vazhdojnë tërmetet, pasi deri tani janë regjistruar mbi 7 mijë tërmete.
Rreth orës 8-9 të mëngjesit më ka ardhur zoti Muçaj për të më marrë në shtëpi. Natën arritëm atje, kemi çuar shumë ndihma atje, me batanije dhe ilaçe, ushqime dhe nuk mendova në asnjë moment për të marrë pjesë në këtë operacion. Ne jemi profesionistë”, theksoi mjeku turk, Taner Akdamar.

