Drejtoi shoqërinë fantazmë për Incineratorin e Fierit, arrestohet në Gjermani Silvester Driza i kërkuar nga SPAK

Pronari i një prej kompanive të përdorura për përvetësimin e fondeve të dhëna nga buxheti i shtetit për incineratorin e fierit është vënë në pranga në gjermani. Silvester Driza ishte shpallur në kërkim dy vjet më parë nga SPAK me akuzën se ka lëshuar fatura fiktive për punë të pa kryera dhe pagesat e tyre pas tërheqjes nga banka I ka ndarë me zyrtarët e akuzuar për skandalin.

Një person i kërkuar nga SPAK për aferën e incineratorëve është arrestuar në Gjermani. Burimet e policisë thanë se si rezultat i informacioneve të siguruara dhe shkëmbimit të tyre me homologët gjermanë, u finalizua operacioni policor i koduar “Freiburg” për vendosjen në pranga të shtetasi Silvester Driza. 

Mësohet se 30 vjeçari është arrestuar nga Policia gjermane në Freiburg, me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë.

Ndaj shtetasit Silvester Driza Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.  

Sipas SPAK, Driza dyshohet se në vitin 2017 ka themeluar një shoqëri fktive për trajtimin e integruar të inerteve dhe ka lëshuar fatura me çmime të larta, deri në fund të vitit 2018, kur i është miratuar leja ligjore për të kryer ketë veprimtari.

Mes personave të shpallur në kërkim nga SPAK në fund të vitit 2022, ishin ish-administratori i inceneratorit të Fierit Luran Dusha dhe Arber Denizi, Juri Ymeraj dhe Silvester Driza, tre drejtues kompanish të cilat kanë marrë fonde nga buxheti i shtetit për punime të pa kryera dhe që dyshohet se paratë i kanë dorëzuar më pas tek ish-zyrtarët e akuzuar për incineratorët.

Disa muaj më parë emri i Silvester Drizës është denoncuar edhe nga Monika Kryemadhi, ku tha se i riu ishte njeri i afërt dhe bashkëpunëtor me zyrtarët e lartë të vendosur tashmë nën akuzë nga SPAK për çështjen e incineratorëve.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se i pandehuri Klodian Zoto, si dhe pronarët e kompanive përfshirë edhe Silvester Drizën, kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.