Bie rekursi i Prokurorisë për “Hakmarrjen” Gjykata e Lartë lë në fuqi pafajësinë për 10 të akuzuarit

Akuzat e prokurorisë ndaj 10 personave në dosen Hakmarrja për Drejtësi kanë marrë një tjetër goditje në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit ditën e djeshme rrëzoi rekursin e paraqitur nga akuza la në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit të krimeve të renda të vitit 2017 që i shpalli të pafajshëm të gjithë të pandehurit e kësaj cështje. Gjykata e Lartë vendosi në dhomë këshillimi pa e kaluar cështjen në gjykim ndërkohë që dosja ka kaluar të gjitha shkallët e drejtësisë shqiptare për gati 20 vjet.

Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e Prokurorisë, kundër vendimit të gjykatës së apelit të krimeve të rënda që dha pafajësi 6 vjet më parë për të akuzuarit si anëtarë të hakmarrjes për drejtësi.

Në datën 21 shkurt 2023, kolegji i Gjykatës së Lartë i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Ervin Pupe dhe Enton Dhimitri rrëzoi kundërshtimin e bërë nga Prokuroria ndaj pafajësisë për të akuzuarit e dosjes “Hakmarrja”. Vendimi është dhënë në dhomë këshillimi, pa e kaluar çështjen në gjykim dhe përbën rastin e tretë që Gjykata e Lartë shprehet për “Hakmarrjen për drejtësi”.

Mospranimi i rekursit lë në fuqi vendimin të Apelit për Krimet e Rënda të shpallur në 13 shkurt 2017, që deklaroi të pafajshëm 10 të akuzuarit e dosjes. Ai vendim rrëzoi dy dënimet me burgim të përjetshëm për të akuzuarit si drejtues të organizatës, Orik Shyti dhe Altin Arapi dhe mbi 170 vjet të tjera burg për tetë anëtarët e tjerë të “Hakmarrjes për Drejtësi”.

Gjykata e Apelit, theksonte ndër të tjera në vendimin e saj se “…nga ky Kolegj janë konstatuar se në fazën e hetimit paraprak janë lejuar shkelje të rënda proceduriale, të cilat kanë sjellë si rezultat pavlefshmëri ose papërdorshmëri të akteve proceduriale të cilat duhet të përjashtohen si prova kundër të gjykuarve,”. 

Organizata “Hakmarrja për Drejtësi” është gjykuar për dy dekada në të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor në Shqipëri për vepra penale të quajtura “akte terroriste”, për disa grabitje të armatosura, për vendosjen e një bombe te ish-marketi i VEFA-s në Tiranë, vrasjen e ish-drejtorit të Burgjeve si dhe rrëmbimin e një fëmije.

Anëtarët e kësaj organizate, tre prej të cilëve kanë përfituar azil politik jashtë Shqipërisë i kanë mohuar vazhdimisht akuzat, por vendimet e gjykatave konfirmuan dënimet e ashpra për ta, të cilat u bënë nul nga vendimi i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, i cili është lënë tashmë në fuqi edhe nga gjykata e lartë.

Kjo e fundit tashmë ka shpallur të pafajshëm të akuzuarit e dosjes, Orik Shyti, Leart Shyti, Altin Arapi, Dritan Hatë, Gent Caka, Nikolin e Pasho Novruzaj, Gëzim Gjoni, Roland Shyti dhe Kreshnik Spahiu.