Java 22, Tirana fiton në fund, Vllaznia ngec në Rrogozhinë
Fitore me zemër në dorë për Tiranën që triumfon në limitet e transfertës me Kastriotin për të thyer skuadrën e Emiljano çelës në minutën e 100 me gol të Nikqit. Talenti bardheblu gjeti rrjetën e vuajtur pas një ndeshjeje shumë të luftuar në Kamëz ku ndodhi pothuajse gjithçka.
Raste të shumta për shënim ku Kastrioti priti Tiranën në një ndeshje që e mbylli me 9. Aleksi dhe Çela lanë fushën e lojës me të kuq në pjesën e dytë ndërsa në fund Kastrioti humbi edhe Prenkovic që la fushën e lojës me barrelë.
Florent Hasani gjithsesi nuk do ta qajë gjatë 11-metërshin e pa shfrytëzuar në pjesën e parë teksa goditja e kosovarit u ndaj nga Sali që i dha shpresë Kastriotit. Skuadra krutane e rriti ritmin gjatë minutave në vazhdim ndërsa Tirana kërkoi një gol që erdhi vetëm në frymën e fundit dhe tashmë rikthehet e vetme në vendin e parë me 3 pikë më shumë se Partizani, ndërkohë, Kastrioti vazhdon të mbetet në fund të klasifikimit me 20 pikë.
Nuk ka gola në Rrogozhinë ku ndeshja e tretë sezonale mes Egnatias dhe Vllaznisë u mbyll në barazim. 90 minuta ku të dyja skuadrat u kujdesën për të mos pësuar duke menduar pak për fazën e sulmit edhe pse 3 pikë do të ishin komode si për shkodranët ashtu edhe për ekipin e Edlir Tetovës që gjithsesi bën një hap përpara duke parë ndalesat e Erzenit dhe Laçit.
Në minutën e 64 shkodranët protestuan gjatë për një 11-metërsh por ndeshja vazhdoi dhe nuk pati asnjë ndryshim. Egnatia ngjitet në vendin e katërt me 31 pikë, po aq sa dhe Erzeni, ndërsa Vllaznia shkon 35 pikë qëndron në vendin e tretë.
