Inter mendon për pasardhësin e Denzel Dumfries
Interi gjen pasardhësin ideal në rast të një largimi të mundshëm të Denzel Dumfries pasi holandezi është një nga lojtarët më të kërkuar në merkaton ndërkombëtare. Bëhet fjalë për marokenin Noussair Mazraoui i cili shkelqeu në Kupën e Botës dhe tashmë rikthehet në krye të listës së dëshirave të klubit zikaltër.
Denzel Dumfries dëshiron Anglinë ku sirenat nga Chelsea dhe Man. United janë të vazhdueshme dhe nëse në selinë e Zhang prezantohet një ofertë joshëse, askush nuk do të vendosë veton për ta mbajtur holandezin.
Ai mund të bëjë gati valixhet për jo më pak se 50 milionë euro. Një pjesë të kësaj shumë, Inter ka për qëllim ta investojë në merkato dhe është pikërisht mbrojtësi i Bayern Munchen që ka ngjallur më shumë interes edhe për faktin se e njeh mjaft mirë futbollin europian e për më tepër ka karakteristika shumë të ngjashme me Dumfries.
I transferuar në korrik të vitit të kaluar në Bundesliga pas shpërthimit të Ajax, 26-vjeçari nuk ka gjetur ende hapësirat e dëshiruara te skuadra e Julian Nagelsmann ndërsa Bayern nuk synon ta lejë të lirë pa të paktën 30 milionë euro.
