Rikthehet Superliga e Europës, ftesë në adresë të 50 klubeve për formatin e ri jashtë UEFA-s
Barcelona, Real Madrid dhe Juventus rikthehen në sulm pasi morën dritën jeshile nga Gjykata e Madridit. Superliga e Europës do të bëhet dhe sipas tre klubeve në fjalë, puna sapo ka nisur me nisjen e ftesave për ndërtimin e strukturës që do të fillojë të funksionojë shumë shpejt.
60-80 skuadra në sezon dhe minimumi 14 ndeshje për çdo ekip. Nuk do të jetë 1 por disa divizione dhe ndryshe nga projekti i parë, struktura do të jetë e hapur dhe jo hermetike.
Tre iniciatorët kanë bërë me dije se ftesa janë dërguar në adresë të 50 klibeve të ndryshme europiane por nuk saktësojnë emrat e tyre dhe as ligat që janë ftuar të shkrihen në këtë projekt.
Ky format synon të rivalizojë UEFA Champions League që sipas drejtuesve të tre klubeve në fjalë, është bërë simbol i monopolizimit që i ka bërë UEFA futbollit në kontinent.
Administratori i deleguar i kompanisë A22 që menaxhon të drejtat e Superligës, Bernd Reichart, deklaron se futbolli është në rrezik dhe ky kompeticion është një mundësi e mirë për ta shëruar.
Në lidhje me këtë çështje në fund të këtij viti do të shprehet edhe Gjykata Europiane e Drejtësisë që mund të rrëzojë monopolin e UEFA-s, princip që është edhe në bazë të Bashkimit Europian.
