FSHF dhe “Terre des hommes” bashkohen për politikat e mbrojtjes së fëmijëve (VIDEO)
Marrëveshja për mbrojtjen dhe zhvillimin e fëmijëve në futboll është një tjetër gur i vendosur në rrugën e projekteve për mbështetjen e të rinjve në futbollin shqiptar. Në ambjentet e FSHF, institucioni qëndror i futbollit shqiptar dhe “Terre des hommes” nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit që mbështet politikat e mbrojtjes së fëmijëve në futboll dhe kodin e etikës.
Kjo marrëveshje është në përputhje me inisiativën e UEFA-s për të zhvilluar politikat e mbrojtjes së fëmijëve në nivel kombëtar për secilin nga 55 anëtarët e saj.

“Terre des hommes” Shqipëri me eksperiencën 30-vjeçare në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, do të ofrojë të gjithë konsulencën e nevojshme dhe programe trajnimi për të krijuar një hapësirë të sigurtë për fëmijët dhe të rinjtë në botën e futbollit.

Krijimi i një klime të sigurtë për fëmijët dhe të rinjtë në futboll është angazhimi dhe objektivi kryesor i kësaj inisiative që do të përqëndrohet kryesisht te ofrimi i konsulencës dhe programeve trajnuese për zhvillimin profesional të stafit të stafit të FSHF.

Sipas federatës, kjo marrëveshje përputhet me nevojat dhe objektivat që institucioni ka në strategjinë Futbolli për Kombin 2022-2025 me fokus kryesor rritjen e sportit në nivelet e fëmijëve në mbarë vendin.

