Vlorë, procedohet penalisht pronari i një lokali për baste sportive, i riu kapet duke i vënë me telefon
Dy persona janë proceduar penalisht në Vlorë pasi njëri kishte përshtatur ambjentet për vënien e basteve ndërsa tjetri u kap në flagrancë duke vënë baste sportive me telefon.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e lojërave të fatit, kanë organizuar kontrolle në lokale dhe në ambiente të ndryshme, të cilat mund të vihen në dispozicion për organizimin e lotarive të palejuara.
"Si rezultat i kontrolleve në lagjen “Osman Haxhiu”, në një lokal në përdorim nga shtetasi A. Z., nga shërbimet e Policisë u kap duke vënë baste sportive, nëpërmjet aparatit celular shtetasi O. Z." njoftoi policia.
Në vijim të veprimeve u procedua penalisht shtetasi O. Z., 21 vjeç, për veprën penale “Organizim i llotarive të palejuara” dhe shtetasi A. Z., 32 vjeç, për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojra të palejuara”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.