Përplasja e bandave në Durrës, lihen në burg pesë të arrestuarit
Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e arrestit me burg ndaj 5 të arrestuarve të djeshëm në aksionin e SPAK-ut përfshirë Akil Nerjakun dhe shpalljen në kërkim të 4 të tjerëve të përfshirë në atentatin në 2019 ku mbeti i vrarë Andi Maloku.
Me vendimin e sotëm në burg janë shtetasit: Bashkim Haxhija, Marsel Decka, Endrit Sinani, Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku dhe Juljan Pjetri.
Ndërsa në kërkim: Julian Meçaj, Plaurent Dervishaj, Ramazan Rraja
Gjatë këtij operacioni, u zhvilluan kontrolle në 11 banesa, në Tiranë, Durrës dhe Fushë Krujë dhe u sekuestruan 1 armë gjahu, 1 jelek antiplumb, 2 jelekë shpëtimi, dylbi me rreze të largët, 5 automjete, 4 milionë lekë, 6 aparate celulare, 50 kontrata shit-blerjeje pronash, dokumente, 11 ora dore të markave të shtrenjta dhe sende të tjera të ndryshme.
Ndërkaq detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i djeshëm policor “Komploti”.
Burime bëjnë me dije se Plarent Dervishaj, Endrit Sinani, Julian Meçaj, shtetasi A.Sh (lidhje e ngushtë e Dervishajt), dhe Ramazan Rraja, pas dështimit të atentatit të 2019 në mbikalimin e Shkozetit, po planifikonin një tjetër atentat ndaj Aleksandër Lahos ("Rrumit të Shijakut").
SPAK kishte siguruar informacione dhe sipas të njëjtave burime, ndaj këtyre shtetasve, ishin paraqitur dy kërkesa të tjera nga kjo Strukturë, të miratuara nga Gjykata e Posaçme në Nëntor dhe Dhjetor të vitit të kaluar, por që po me kërkesë të prokurorëve të çështjes, nuk janë ndërmarrë veprime ekzekutimi pasi pritej që disa nga të dyshuarit të ktheheshin në Shqipëri për festat e fundvitit.
Emrat e mësipërm akuzohen nga SPAK, se kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
Gjithashtu, ata akuzohen për veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Zbardhja e zinxhirit të ngjarjeve tri vite më vonë është bërë falë dëshmisë së një bashkëpunëtori të drejtësisë, ndërkohë që pesë persona janë arrestuar dhe disa të tjerë janë shpallur në kërkim. Përplasja mes grupeve ka pasur si shkak konkurrencën në aktivitetin e paligjshëm dhe aferat e pronave në bregdet


