Probleme nga bora e shiu, në Shkodër mbi 1200 Ha nën ujë, në Malësinë e Madhe rrugë të bllokuara e pa drita

Reshjet e shiut të orëve të fundit zgjeruan hartën e përmbytjeve në Shkodër.

Mbi 1 mijë e 220 hektarë ndodhen nën ujë.

Në Njësinë Administrative Ana e Malit janë përmbytur rreth 1 mijë e 200 hektarë.

Në Obot prezenca e ujit në rrugë mëngjesin e të dielës ishte 65 centimetra.

Në fshat mund të kalohet vetëm me mjetet e ushtrisë.

E pakalueshme është rruga Shirq-Darragjat, në vendin e quajtur Urrelat e Shirqit ku prezenca e ujit arrin në 30 centimetra

Sakaq Ujësjellësi Oblika 1 vazhdon të mbetet jashtë funksionit.

Niveli i lumit Drin shenon kuoten 6.10 nga 7.50 metra që është maksimumi ndërsa niveli i liqenit është rritur me 20 centimetër duke ju afruar kuotës maksimale.

Në Kurbin e Lezhë situata paraqitet më e qetë se një ditë më parë.

Sipas të dhënave të dielën në këtë qark ndodheshin nën ujë 530 hektarë tokë bujqësore.

Në fshatin Spiten, në Njësinë Administrative Zejmen janë përmbytur rreth 200 hektarë

Banorët thonë se shkak kryesor është mosfunksionimi i hidrovorit.

"E gjithë bujqësia është në ujë. Me bukë e grurë, të gjtiha janë në ujë deri në fyt.

Kam 5 dynym ullinj të mbytur komplet në ujë. Si mo ta ngre zërin kur nuk vjen dikush me më pa. I marr në telefon po svjen njeri me më pa. Aty e kam shpresën unë. Ditën e përmbytjes ka rënë dhe hidrovor s'ka pas deri në orën 12:00," thonë banorët.

Në zonat malore reshjet e borës sollën vështirësi.

Trashësia e borës ne Boge arriti në rreth 1 metër.

Aksi BogË-Theth u bllokua te zona e orteqeve, funksionon vetem segmenti Boge-Qafe-Thore.

Në Qafë Thore po punohet për pastrimin e rrugës nga ortekët me 3 borëpatruese dhe mjete të tjera.

Aksi Tamarë-Vermosh është i hapur nga bora në dy korsi por për qarkullim duhen goma dimërore dhe në disa segmente ku pjerrësia e rrugës është e madhe duhen zinxhirë.

Në Bashkinë Malësi e Madhe akset rrugore janë të kalueshme por gjatë natës ka patur probleme me energjinë elektrike.

Në juglindje situata ka qënë e qetë pavarësisht reshjeve të borës e shiut.

Në akset rrugore nacionale dhe turistike qarkullimi i mjeteve bëhet pa probleme.