Pas dy ditësh mungesë, zgjidhet problemi i furnizimit me ujë të pijshëm për Pogradecin

Furnizimi me ujë është kthyer në qytetin e Pogradecit pas dy ditësh ndërprerje. Ujësjellësi riparoi defektin në tubacionin kryesor në zonën e Drilonit, ndërkohë që qytetarët thanë se mungesa e ujit shkaktoi vështirësi jo vetëm në banesa por edhe në hotelet që presin pushues në fundjavë.

Pas dy ditësh ndërprerje të furnizimit, në Pogradec ka rinisur furnizimi me ujë.

Punonjës të Ujësjellësit kanë arritur pasditen e të shtunës të riparojnë defektin që kishte shkaktuar ndërprerjen e furnizimit.

Përfaqësues të Ujësjellësit thanë se pas riparimit të problemit në rrjet,  depot janë mbushur dhe furnizimi i qytetit kthehet në normalitet.

Me mijëra familje në Pogradec dhe fshatrat e njësisë administrative të Buçimasit vuajtën mungesën e ujit të pijshëm si pasojë e problemit në rrjet në zonën e Drilonit.

Banorët thanë se situata ishtë e vështirë pa furnizim me ujë pasi qyteti në fundjavë pret edhe turistë.