Shembje gurësh në aksin Klos - Bulqizë, vështirësohet qarkullimi i automjeteve

Është vështirësuar lëvizja e automjeteve në aksin rrugor Klos - Bulqizë.

Në segmentin e fshatit Plan i Bardhë ka patur rënie të vazhdueshme të gurëve në asfalt duke vënë në rrezik jetën e përdoruesve të rrugës.

Drejtuesit e mjeteve thonë se gjendja është e tillë sa herë ka reshje shirash ku masive gurësh përfundojnë befas në asfalt dhe kthehen në rrezik të madh sidomos për ata që lëvizin për herë të parë.

Ata kërkojnë që të ndërhyhet tek skarpatat dhe të vendoset të paktën rrjetë.

“Katastrofë more burrë. A e shikon, shemben gurët dhe bien në mes të rrugës. Dhe ato janë hequr nga vetë drejtuesit e mjeteve pasi askush nuk po punon në këtë aks. Normalisht që është e rrezikshme për ne si drejtues kjo rrëshqitje gurësh. Duhen sistemuar dhe duhen rregulluar gjërat, sepse është katastrofë kjo. Zoti e bëftë mirë”, shprehet një drejtues mjeti.

Firma mirëmbajtëse dërgoi një mjet për heqjen e gurëve por situata vijon të jetë problematike pasi ka rënie gurësh e dherash vazhdimisht.