Radhët në urgjenca, Alimehmeti: Nuk ka vetëm shtim të virozave por edhe mungesë mjekësh
Urgjenca e QSUT në Tiranë nuk po përballon dot fluksin e pacientëve, duke u dhënë shërbim në korridor.
Nga një vëzhgim i bërë këtë të enjte rezultoi se për disa minuta pacientë të moshuar morën ndihmën e parë në ambiente të papërshtatshme.
Mjeku Ilir Alimehmeti i ftuar në Ora News me gazetarin Everest Dedaj thotë se nuk ka vetëm shtim rastesh por edghe mungesë mjekësh.
"Mund të duket se janë shtuar rastet por nga ana tjetër mos harroni se janë pakësuar mjekët. Ato raste që kanë gjithmonë tani do të shkojnë tek më pak mjekë".
Dhe pse shifra të sakta nuk ka, ai thotë se tukurrjet janë të mëdha dhe efekti do të ndihet dhe më tej në të ardhmen.
"Mjafton fakti që nuk ka transparencë për të kuptuar që situata nuk është mirë. Deri në 2016 raportimi ka qenë i saktë. Fluksi është i madh për ikje. Nga anketimet në nëntor te studentët e mjekësisë, 90% duan të ikin sapo të mbarojnë studimet. Dimë nga një projekt tjetër madhor në 2018 që 74% e mjekëve dhe 84% e doktoreshave duan të largohen menjëherë apo sapo tu jepet mundësia. Pas 5-10 vitesh efekti do jetë shumë i madh, nuk duhet të fshihemi pas gishtit. Shëndeti është i pari, duhet investuar. Burimet njerëzore duan 10 vite të formohen".
Nga ana tjetër mjeku tha se në vend po qarkullojnë një seri virusesh.
"Ka një seri virusesh të ndryshme që hyjnë te familja e madhe që ne e quajmë grip. Trajtimi është pa a shumë i njëjtë, simptomat janë pak a shumë të njëjta me diferenca të vogla, nevojë për antibiotikë nuk ka".
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
