Nën kërcënimin e erozionit/ Rrëshqitjet e dheut problem në Manati të Lezhës, banorët: Institucionet të ndërhyjnë
Në fshatin Manati të lezhës fenomeni i erozionit po rrezikon disa shtëpi. Një kodër është shembur, e bashkë me të edhe disa mure rretheuese të shtëpive atje. Banorët thonë se ndihen të rrezikuar, ndërsa kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve.
Rreshjet e dendura të shiut, kanë shfaqur fenomenin eroziv në Manati të Lezhës.
Toka ka rrëshqitur dhe muri mbajtës është shkëptur e ka goditur një banese dy katëshe, duke i shkaktuar plasaritje.
Banorët: “Në orën 3:00 të natës kur ra shiu i madh dhe si mbaroi shiu, ka rënë muri dhe ka krisur si një granatë. Kur kam dalë në orën 5:00 kam parë ballkonin e mbushur plot me ujë dhe pashë që muri mungonte”.
“Situata është shumë keq, kjo ka ndodhur nga shiu i madh dhe uji vjen nga lartë, arsyeja mungesa e pritave”
Fenomeni i shfaqur në këtë lagje, rrëzë malit të fshatit, është mjaft i frikshëm.Të rrezikuara nga rrëshqitja e tokës janë disa banesa në këtë zonë, ndërsa banorët thonë se fenomeni eroziv është shfaqur nga vërshimi i ujëra nga mali, për shkak të dëmtimit të pritave malore.
Banorja: “Kemi frikë të jetojm në këto kushte, sepse është duke ardhur prapë. Kam hall të më hiqet ai muri prej shtëpisë, për të tjerat na ndihmoftë Zoti”
Përballë kësaj situate, banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, pasi në këto kushte banesat dhe jeta e tyre, është në rrezik.
Banorët: “Të marrin masat për pritat, të dalësh të shohësh andej, nam i zi është bërë. Vetëm për pritat, se në sistemin e mëparshëm, kanë qenë”.
“Shtëpia është në rrezik, i kemi njoftuar punonjësit e komunës dhe na kanë thën, nuk kemi se çfarë të bëjmë. Ka rrëshqitje masive po rrëshket dhe shtëpia sipër”
Vërshimi i përrenjeve malor në kohë reshjesh, është kthyer në kërcënim për shumë zona të Bashkisë Lezhë, ndërsa si zgjidhje shihet ndërtimi i pritave malore, të cilat janë dëmtuar prej shumë vitësh.


