Sulmet kibernetike nuk ndalen, Çuçi: Do rrisim investimet me 7.6 herë, do të kemi mbrojtjen më të mirë
Prej një viti Shqipëria gjendet në një sulm të paprecedentë kibernetik nga hekerat iranianë dhe publikimi i informacioneve të vjedhura për të dhënat e qyterëve nuk ndalet.
Dy ditë nga publikimi i të dhënave të llogarive bankare, dhe në një kohë që askush nuk është vënë para drejtësisë qeveria thotë se do të të rrisë në mënyrë të ndjeshme investimet për mbrojtjen në internet. Ministri i Brendshëm Çuçi dha disa detaje sot në konferencë për mediat.
“Ne kemi bërë të mundur që në vitin 2023 të kemi 7.6 herë investimet në fushën e teknologjike për policinë e shtetit. Vetëm nga burimet e policisë së shtetit, pa përfshirë financimet që pritet dhe na janë premtuar nga partnerët tanë.
Që do të jenë kryesisht për fushën kibernetike. Ne po punojmë për ngritjen e një agjencie kombëtare për mbrojtjen kibernetike. Do të ngremë në Ministrinë e Brendshme sektorin e policisë së shtetit për mbrojtjen kibernetike.
Do të ketë investime të reja në fushën e teknologjisë. Është gjithmonë një sfidë që e kalon gjithë bota. Me masat që kemi marrë besoj do jemi një nga vendet me infrastrukturën më të mirë për mbrojtjen kibernetike.
Këto janë të parashikuara. Është një projekt i qartë se çfarë do bëjmë dhe ku do shkojmë. Kemi parashikuar krijimin e një njësie speciale për mbrojtjen gjatë sezonit veror.
Do të ketë një patrullë një brigjet e Shqipërisë për të garantuar më shumë siguri për pushuesit. Këto i kemi parashikuar të gjitha si investime për vitin 2023. Do të jemi një nga vendet me infrastrukturën më të mirë për mbrojtjen kibernetike”, ka thënë Çuçi.