“Çështja Paplekaj”, shqyrtohen pamjet filmike të vrasjes së mjekut Xhuvani
LAJMI U PËRDITËSUA/ Gjykata e Elbasanit ka zhvilluar një tjetër seancë maratonë prej më shumë se 4 orë në ngarkim të Arbër Paplekajt, i akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në 21 Prill të vitit 2021 në Elbasan.
Në seancën e sotme përfundoi shqyrtimi i 4 videove filmike që prokuroria kishte siguruar mbi ngjarjen.
Sakaq në seancën e radhës e parashikuar për tu mbajtuar me 22 dhjetor do të nisë marrja e dëshmive, ku në total thuhet se do të dëshmojnë plot 59 dëshmitarë.
Në ndryshim nga disa seanca të mëparshme, në sallën e gjyqit ishte i pranishëm vetë Arbër Paplekaj, i cili gjithashtu ka pasur mundësi të shohë edhe pamjet filmike të siguruara nga organi i akuzës.
Kujtojmë se ndaj Arbër Paplekajt rëndon akuza për 'vrasje me dashje në rrethana cilësuese'.
Ai rrezikon nga 20 vite burg deri në burg të përjetshëm.
Në përfundim të seancës së sotme asnjë nga palët nuk u prononcua për kamerat, por jashtë saj avokatja e viktimës Rezarta Tahiraj pohoi se familjarët e viktimës të përfaqësuar nga ajo ia kanë besuar drejtesise fatin e vrasësit.
"Une si avokate uroj që drejtësia të jetë ekzemplare, mbi të gjitha në këtë proces ku provat janë shumë evidente dhe të rëndësishme, pas një odiseje shtyrjesh të njëpasnjëshme", pohoi Tahiraj.
Ndërsa seanca e radhës është lënë të mbahet në datë 22 dhjetor kujtojmë se në seancën e shkuar Mirash Martini, avokati i Arbër Paplekajt kërkoi riekspertimin e vendit të ngjarjes pasi sipas tij nuk përputhet distanca e përcaktuar mes qitësit dhe viktimës, por u hodh poshtë nga gjykata bashkë më kërkesën e tij që kjo çështje të hetohet nga ekspert të pavarur.
Për vrasjen e bujshme e ndodhur pak ditë para zgjedhjeve parlamentare u vetëdorëzua Arbër Paplekaj, truprojë i drejtuesit politik të PD-së në Elbasan në atë kohë, Gazmend Bardhi.
Si ndodhi ngjarja
Ngjarja që përgjaku fushatën për zgjedhjet e përgjithshme të 25 Prillit 2021, duke krijuar edhe një përplasje politike u shënua më 21 prill në lagjen 5 Maji.
Anëtarë të Strukturës së PD për mbrojtjen e Votës, pjesë e të cilës ishte edhe Arbër Paplekaj ndaluan aty Mehmet Grecën të cilën e akuzonin se po blente vota për llogari të Partisë Socialiste.
Debatet përshkallëzuan në përplasje me armë, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, me profesion mjek dhe i njohur si aktivist i Partisë Socialiste. Të plagosur mbetën Eltjon Bodinaku 32 vjeç; Emiljan Prenga, 39 vjeç; Pavlo Vuksani 50 vjeç, dhe punonjësja e policisë Xhensila Sota 27 vjeçe.
Ish nën drejtorët e policisë vendore, Nikollaq Palla dhe Albert Nushi, janë nën hetim pasi akuzohen se dështuan të parandalonin përplasjen e dy grupeve, ndërsa 6 efektivë të Forcës Shqiponja të përjashtuar u rikthyen në detyre nga Gjykata e Apelit Durrës.