Donin të korruptonin penditon e SPAK-ut, Luftar Reçin. Gjykata dënon “Reqin e Korçës” e Vis Kosovën

Gentian Goskova ose siç njihet ndryshe si “Reqi i Korçës” është dënuar me 3 vite e 6 muaj burgim për akuzën e “Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit”, në formën e propozimit dhe premtimit të përfitimit të parregullt të dëshmitarit, Luftar Reçi, për të siguruar nga ky i fundit deklarime të rreme.

Së bashku me Goskovën është dënuar dhe Ervis Kosova, me 2 vite e 4 muaj burgim. Ervis Kosova nuk është mundur të arrestohet nga Policia, pasi fshihet në Kosovë.

Ndërsa Goskova prej vitit të kaluar është arrestuar dhe qëndron i izoluar në ambientet e burgut 313 në Tiranë.

“Ora News” disponon dosjen e prokurorisë së posaçme, ku evidentohen të dhëna se Ervis Kosova dhe Elton Goskova, kanë bërë përpjekje të shumta për të korruptuar dëshmitarin Luftar Reçi, që mbahej i izoluar në burgun e Drenovës në Korçë.

Rreth 260 mijë euro i janë ofruar bashkëpunëtorit të SPAK-ut në këmbim të tërheqjes së dëshmisë për implikimin e Emiljano Shullazit në vrasjen e Vajdin Lamajt dhe mikut të tij, Artan Arsi në vitin 2005.

Luftar Reçi është një nga 7 të pandehurit e SPAK të cilët nën operacionin “asgjë nuk harrohet” janë dërguar në gjykatë si autorë të grupeve kriminale që ekzekutuan në 2005 Klodian Saliun, Vajdin Lamen dhe shtetasin Artan Arsi.

Mes të pandehurve të cilët implikohen nga dëshmia e Luftar Reçit janë: Viktor Bajraktari (Imeraj), Emiljano Shullazi, Indrit Taulla, Lulzim Berisha, Plarent Dervishaj, Indrit Rusi dhe vetë Luftar Reçi.