Grabitja e mijëra eurove në banesat ku punonte, pastruesja dhe i biri lihen në burg. Përlotje e pendesë në seancë

Gjykata e Tiranës la në burg 49-vjeçaren Rozeta Dobi dhe djalin e saj Havier Dobi të akuzuar për vjedhjen e banesave ku punonin si pastrues në Tiranë. Dy të pandehurit nuk folën para gjykatës, ndërsa zbulimi i 500 mijë eurove në shtëpinë e tyre është bërë shkak për nisjen e hetimeve pasurore mbi burimin e kësaj shume. Në një letër drejtuar babait dhe të dashurës, 25-vjeçari duket se akuzon nënën e tij se e ka implikuar në këtë aktivitet.

Me lot në sy dhe më kokën ulur Rozeta dhe Havier Dobi dolën para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë ku akuzohen për vjedhje me pasoja të rënda.

Seanca e cila nisi në orën 10:30 zgjati rreth 40 minuta. I pari që hyri në kafazin e xhamit ishte 23-vjeçari Havier Dobi, i cili me pranga në duar u ul kokë ulur në karrige, ndërsa atletet i kishte pa lidhëse. Vetëm pak sekonda më vonë, e shoqëruar nga policia, por pa pranga në duar, erdhi dhe 49-vjeçarja.

Gjykata la në fuqi kërkesën e prokurorisë burg pa afat ndaj 49 vjeçares Rozeta Dobi dhe djalit të saj 25 vjeçar.

Para gjykatës asnjëri prej tyre nuk dha deklarime. Por gjatë kohës që zhvillohej gjyqi, u bë publike një letër e cila ishte e shkruajtur në Havier Dobi ku ai fajësonte nënën e tij.

I riu i drejtohet babait ku tregon se këtë verprim nuk do t`ja falë kurrë mamasë së tij Rozetës.

I arrestuari duket se një letër të ngjashme i kishte drejtuar edhe të dashurës së tij ku ndër rreshta tregon se ai për dy muaj do të dalë nga burgu.

Pas arrestimit policia i ka kërkuar prokurorise së Tiranës për nisjen e hetimeve për pastrim parash për Alda Klosin lidhur me shumat e konsiderueshme monetare dhe bizhuteritë e gjetura tek banesa e saj.