Vrau foshnjën, arrest me burg për nënën 32-vjeçare, rrezikon burg të përjetshëm

Gjykata e Shkodrës ka lënë në burg 32 vjeçaren Orjana Gremi e cila pak ditë më parë vrau foshnjën e saj duke e hedhur në lumin Kir. 32 vjeçarja heshti para togave të zeza, ndërsa prokuroria ka ngritur akuzën e vrasjes me dashje, ndërsa ajo rrezikon 25 vite burg deri në burgim të përjetshëm.

Gjykata e Shkallës së parë Shkodër ka caktuar masën e sigurisë "Arrest me burg" për Orjana Gremin 32 vjeçaren që vrau foshnjen e saj.

Në seancën gjyqësore 32 vjeçarja nuk ka folur asnjë fjalë, ndërsa avokati i saj ka kërkuar ndryshimin e vepres penale nga vrasje në rrethana të tjera cilësuese në vrasjen e të miturve.

Kjo është refuzuar nga gjykatësi i cili ka lënë në fuqi kërkesën e prokurorisë dhe cilësimin e veprës penale.

32 vjeçarja do ti nënshtrohet edhe një ekspertimi psikologjik, ndërsa u dërgua në burgun e grave në kryeqytet.

Ngjarja e rëndë që tronditi opinionin publik ndodhi në 5 Janar të këtij viti, 5 ditë pasi nëna e re kishte sjellë në jetë foshnjën e saj.

Ajo e ka hedhur atë në ujërat e lumit Kir, çka kanë rezultuar fatale për foshnjen, ndërsa menjeherë pas ngjarjes ajo u arrestua në fshatin Golem ku edhe banonte tek të afërmit, me akuzën “Vrasja me dashje”.

Ishin 2 misionare të kishës katolike që njoftuan policinë pasi e kanë takuar 32 vjeçaren në shtëpinë e saj por pa foshnjen.

Fillimisht ajo ju ka dhënë murgeshave deklarata kontradiktore mbi vendodhjen e fëmijës dhe pasi nuk kanë arritur ta gjejnë kanë sinjalizuar uniformat blu.

Foshnja i seksit mashkull është regjistruar në spitalin e Shkodrës pa atësi dhe nëna përpara kryerjes së krimit kishte kryer edhe procedurat për përfitimin e bonusit, ndërkohë që më herët në spital kishte kërkuar dhënien e tij për birësim, por që më pas ka ndërruar mendje.