Pastruesja i nxjerr të palarat, këshilltarja e Ramës, Alda Klosi në hetim për dy vepra penale

Rozeta Dobi alias “Rakipllari” nga qyteti i Korçës, ka treguar në policinë e Tiranës, se të gjithë sasinë e parave që i është gjendur në banesën e saj, e ka vjedhur pikërisht në banesën e ish-drejtoreshës së Kabinetit të ministrit të rindërtimit dhe ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj.

Gruaja në cilësinë e pastrueses ka treguar se sasinë e eurove e ka marrë nga kasaforta e Alda Klosit, dhe këtë veprim e ka kryer në shenjë hakmarrje për të pasi e kishte shumë inat.

Dëshmia e Rozetës, ka hedhur poshtë pretendimet e Alda Klosit, se lekët i kishte kursime nga puna dhe emigracioni i babait të saj, me qëllim kurimin e xhaxhait të saj në SHBA.

Nisur nga kjo situatë, prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim kryesisht për akuzën e “Fshehjes së të ardhurave” dhe “Mos deklarim të pasurisë” pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive në Tiranë.

Zyrtarja e Ministrisë së Rindërtimit dhe Programit të Reformave njëherësh këshilltare pranë Këshillit të Ministrave, hyn në kategorinë e punonjësve të administratës, që ka detyrim të deklarojë pasurinë e saj pranë ILDKPI.

Pastruesja personale e Alda Klosit, arriti të vjedhë një shumë të konsiderueshme nga banesa e saj që besohet se është 524.800 euro, 8500 dollarë dhe 368.000 lekë të rinj si dhe aksesorë flori.

Nga sa mësohet një shumë e tillë pasurie nuk është deklaruar në asnjë moment nga zyrtarja e pasurisë Alda Klosi.