Tragjedia e 9 janarit, 28 shqiptarë u mbytën në det, familjarët: Nuk është bërë drejtësi

28 shqiptarë, kryesisht nga Shkodra, u mbytën në det, në brigjet e Vlorës mbëmjen e 9 janarit 2004.
7 prej tyre ende nuk janë gjetur, ndërsa 11 persona arritën që të shpëtonin.
Në përkujtim të kësaj dite tragjike, familjarët e viktimave nga Shkdora përsëritën thirrjen për drejtësi.

Edhe pas 19 vjetësh familjarët e viktimave që humbën jetën në tragjedinë e 9 janarit në detin Jon, në tentativën e dëshpëruar për të ikur nga Shqipëria, vijojnë të kërkojnë drejtësi.

Nga Shkodra, familjarët përsëritën apelin e tyre që ngjarja të hetohet, madje thanë se të përfshirë janë ish-zyrtarë të lartë të kohës.

“Ka 19 vjet që ne kërkojmë drejtësi, asnjëgjë më tepër vetëm drejtësi. Shteti nuk na ka dhën drejtësi. Njerëz të veshur me pushtet deri tek deputet dhe ministra të përfundojnë në burg” thanë ata.

Që të rinjtë shqiptarë të mos kenë fatin tragjik të 28 personave që humbën jetën mbrëmjen e 9 janarit 2004, familjarët kishin një apel për të gjithë ata që edhe sot si dikur zgjedhin gomonen për të lënë vendin, në kërkim të një jete më të mirë

“Të gjithë djemtë dhe vajzat shqiptare, që mos të kalojnë me gomone.

Sidomos këto dy vjet, dhe kështu kërkoj që ishalla do zoti në qiell, nuk ju ndodh ajo që na ka ndodhur ne,” thanë ata.

28 shqiptarë u mbytën në ujrat e detit Jon, 19 vite më parë.

Gomonia 12 metra e gjatë që u nis nga Vlora me qytetarë kryesisht shkodran nga 15 deri në 33 vjeç, por stuhia detare e fudnosi atë duke lënë 28 persona të mbytur, 7 prej të cilëve ende nuk janë gjetur, ndërsa njëmbëdhjetë të tjerët mundën të shpëtonin, mes tyre edhe skafistët.