Marrëveshjet në letër, kreu i Odës Ekonomike: Bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë në nivel të ulët
Përfaqësues të biznesit dhe ekspertët në Kosovë, ngrenë shqetësimin se marrëveshjet e dy qeverive për bashkëpunimin ekonomik kanë mbetur në letër. Sipas tyre, 90 për qind e pakteve të firmosura nuk gjejnë zbatim. Për rrjedhojë kalimi i kamionëve me mall në kufi, taksohet me dyfishin e vlerës. Ekspertët kërkojnë edhe largimin e militantëve nga diplomacia dhe kërkojnë që ky sektor të arkëtojë më mirë prodhimin vendas.
Bashkëpunimi ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë ka mbetur në nivele të ulëta, pavarësisht mbledhjeve të përbashkëta të qeverive dhe marrëveshjeve të miratuara. Përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspert të ekonomisë, theksojnë se për vitin 2023, ky bashkëpunim duhet të shihet me seriozitet, duke krijuar politika të përbashkëta fiskale e doganore.
Kryetari i Odës Ekonomike, Lulëzim Rafuna, në një intervistë për Radio Kosovën është shprehur se shumica e marrëveshjeve mes dy qeverive kanë mbetur në letër.
“Ne duhet me urgjencë që veçanërisht me Shqipërinë të kemi një marrëdhënie shumë të mirë ekonomike në harmonizim të tatimeve, në eliminim të procedurave e sidomos ato doganore. Një maune që vjen nga Shqipëria më së shumti dominojnë pemët dhe perimet, e një maune e tillë, në vend që të paguajë 70 euro tatim të TVSh-së, ai duhet të paguajë 150 euro shtesë shpenzime administrative,” tha ai.
Nga ana tjetër eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu thekson se Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për dialog dhe partneritet të mirëfilltë, për të zhvilluar ndërveprimin ekonomik.
“Është koha kur të depolitizohet diplomacia, e në të dy vendet duhet të vijnë ambasadorë të karrierës, të dijes dhe jo vetëm servilë dhe militantë që e shfrytëzojnë postin e tyre,” tha ai.
Përfaqësuesi i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, vlerëson se këto dy shtete varen nga importi, ndërkohë që infrastruktura tregtare është e dobët.
“Ne jemi dy shtete të varura nga importi rreth 90 për qind, dhe të dyja nuk bëjnë sa një shtet që në Ballkan mund të ketë prodhim të vetin, dhe kjo, e bënë që ne shumicën e mjete financuar ta eksportojmë jashtë, kurse prodhimet vendore mbeten ende sfidë për t’u konsumuar,” tha ai.
Nga mbledhjet e përbashkëta Kosovë Shqipëri në aspektin ekonomik janë nënshkruar 137 marrëveshje në fushën e ekonomisë.