“Pikat e zeza” të qeverisë: Gati harta për aksidentet rrugore. Balluku: 223 milionë euro për by-pasin e Tiranës
Në një konferencë për shtyp në lidhje me analizën vjetore të punës për vitin 2022 si dhe objektivat për vitin 2023 të ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, qeveria njoftoi se tashmë ka bërë gati hartën e aksidenteve rrugore, ku ka evidentuar “Pikat e zeza”, siç i cilësoi ajo, ku janë regjistruar dhe aksidentet më të rënda rrugore.
Infrastruktura rrugore
Ministrja Belinda Balluku deklaroi se Qeveria ka miratuar 223 milionë euro grant për by-pass-in e Tiranës, dhe po ashtu tha se nuk do të ndalen dhe projektet e tjera rrugore.
“Do kemi një projekt për “By Pass-in” e Elbasanit. Do të aplikojmë në fondet e BE. Është pjesë e Korridorit 8. Pas Fushë Krujës kemi edhe një ngërç në Elbasan. Nuk mundemi të kemi akse kombëtare me hyrje në qytet. Do kemi projektin e plotë për By Passin e Elbasanit për të aplikuar më pas në fondet e BE. Do çelim garën për Milot-Balldre. Një projekt tjetër për Berat-Ballaban”, tha Balluku.
Balluku u ndal edhe tek transporti urban, duke theksuar se do të studiohet mundësia për të kthyer në kushte optimale këtë sektor.
“Rezulton që është një sektor me disbalancë financiare”, tha Balluku.
Gazifikimi i vendit
Në Korçë do të nisë projekti i gazifikimit të Shqipërisë. Lajmin e bëri të ditur Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cila ka prezantuar projektet e vitit 2023.
Sipas Balluku pas Korçës do të vijoj gazifikimi i Fierit, duke theksuar se këto dy qytete janë të parat për këtë projekt për shkak të afërsisë me sistemin e gazsjellësit TAP.
“Do kemi gazifikimin e Shqipërisë. Kemi hedhur hapa të rëndësishëm. Kemi arritur në një moment ku 2023 do realizohen disa projekte të rëndësishme. Do e nisim me Korçën, Fieri do jetë i dyti. Korça është me temperatura më të ulëta ndaj e nisëm me Korçën. Paguajnë më mirë nga të gjithë faturat. Për t’i dhënë eficencë këtij projekti. Fieri është i dyti qytet. Do të jetë vit i rëndësishëm. Pavarësia energjitike është shumë e rëndësishme. Shqipëria ka një detyrim ndaj qytetarëve, që të ofrojë mburojë energjitike dhe siguri. Do synojmë të bëhemi lider energjitik i rajonit.” tha Balluku.
Energjia
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha sot se në vitin 2023 do të nisë ndërtimi për parkun fotovoltaik në digën e Zadejës, i cili do të jetë 8.3 megavatorë.
Në një konferencën për shtyp Balluku sqaroi se ndërkaq, në parkun e Zadejës ka një tjetër park fotovoltaik që është 5.2 megavatorë dhe përdoret sot për tregun energjetik shqiptar.
Balluku informoi se “do të nisë projekti së bashku me BERZH-in sa i përket impiantit të lundrueshëm, që është një projekt i hershëm, por që tashmë ka marrë formën e tij, është 13 megavatorë, është projekt që është financuar edhe nga Fondi i Ballkanit Perëndimor me 20% grant financimi dhe në total shkon 12 milionë euro investim”.
“Vau i Dejës është kthyer në një nga parqet e integruara dhe synimi ynë është që të arrijmë të përdorim digat e hidrocentraleve për prodhim alternativ siç është rasti i paneleve fotovoltaike”, nënvizoi Balluku.
Ministrja Balluku u shpreh se “ka nisur nga puna dhe partnerët tanë janë me emër të madh në fushën energjetike, për projektimin e parkut fotovoltaik 50 megavatorë në zonën e Belshit, i cili do të aplikohet në vijim si një nga tre projektet e paketës 500 milionë euro që janë vënë në dispozicion si hapi i dytë i ndihmës financiare për energjinë nga Bashkimi Evropian”.
Prodhimi i energjisë nga panelet diellore është pjesë e rëndësishme e procesit të diversifikimit të burimeve të energjisë, bazuar në Strategjinë Kombëtare të Energjisë.
