Ushqimet që mbajnë larg gripin, nutricionistët: Ushqime të larmishme dhe sa më shumë lëngje

Ushqim të shëndetshëm e sa më shumë lëngje.

Është kjo këshilla e nutricionistëve për të pasur një imunitet të fortë në këtë stinë virozash e gripi.

“Të duhet ushqim të kompensojë nevojat e trupit për shkak të dehidratimit, për të zëvendësuar lëngjet. Prandaj duhen ushqime të lëngshme dhe fruta, apo edhe bulmet.”

Shqetësimet më të shpeshta të gripit janë temperatura e lartë dhe kolla.

Rolina Naço rekomandon disa ushqime që nevojiten për t`ju bërë ballë këtyre simptomave.

“Nëse keni temperaturë të lartë mos konsumoni ushqime me sheqer, ndërsa për kollën çajrat mund të hyjnë në punë dhe lehtësojnë frymëmarrjen. Gjithashtu supa e pulës ndihmon jashtëzakonisht shumë.”

Kosi këshillohet veçanërisht për të vegjlit të cilët kanë përdorur antibiotik.

“Nëse bëhet fjalë për aparatin tretës atëherë kosi, është një zëvendësim shumë i mirë.”

Nutricionistja thotë se ushqimet që përmbajnë sheqer e yndyrna të këqija nuk duhet të jenë pjesë e vakteve gjatë kohës që jeni të prekur nga virozat apo gripi i stinës.

“Kur flasim për yndyrë të keqe flasim për ato të skuqurat dhe që janë të paketuara.”

Përtej dimrit, frutat dhe perimet rekomandohen të konsumohen në çdo ditë të vitit.