"Radhë qumështi" te Posta, të moshuarit pritje të gjata me orë për të marrë pensionin

Dhjetëra të moshuar kanë pritur në radhë paraditen e të premtes përpara Postës Shqiptare numër 11 në Allias për të marrë pensionin e tyre.

Të ngjeshur me njëri-tjetrin para derës kryesore, ata thonë se me këtë dyndje nuk dihet se kur do të mbarojnë.

Ka nga ata që prej tre ditësh shkojnë për të tërhequr paratë, por si pasojë e fluksit nuk ja kanë dalë dot ti marrin.

"Bëra katër orë këtu."

"Kam tre orë."

"Dy orë kam unë këtu. Kështu është përditë, dhe dje kam qenë."

"Kam tre ditë dhe se marr dot pensionin."

Pensionistët thonë se më parë paratë i merrnin në Postën që është përballë Shkollës së Bashkuar, por kjo e fundit u ka thënë se shërbimi do të spostohet në Allias.

"Ka shumë njerëz se Shkollën e Bashkuar e kanë sjellë këtu."

Ora News u interesua në këtë Postë, ku këta të fundit pranuan se në atë filial nuk merren më pensionet dhe kjo ka ardhur si pasojë e riorganizimit.

"Nuk merren më pensionet këtu. Organizim i ri, do të merren në Allias."

Të moshuarit kërkojnë reagim nga institucionet pasi ambjenti i ri nuk ka kushtet e përshtatshme për të evituar radhët, por as stola ku të mund të ulen.

"Të vendosin më shumë punëtorë që mos të presim kaq shumë, të gjendet një zgjidhje."

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.