Rama nuk i ndahet koncesioneve: Ligji aktual ka mangësi, duhet një i ri për kontratat koncesionare dhe PPP-të

Boshllëqet në ligjin për koncesionet dhe PPP janë reflektuar edhe në raportin kombëtar të qeverisë për integrimin europian. Në të theksohet nevoja e një ligji të ri për menaxhimin e tyre, ndërkohë që më herët kjo ka qenë një thirrje edhe e FMN-së dhe Bankës Botërore.

Ligji për koncesionet apo marrëveshjet e Partneritetit Publik-Privat, që vepron në Shqipëri është i paplotë. Kjo mangësi është reflektuar edhe në raportin e fundit të vet qeverisë për miratimin e planit kombëtar për integrimin europian.

Raporti shprehet se shkalla e përafrimit me direktivat e BE-së është vlerësuar si e pjesshme dhe se ligji aktual është bazuar në direktivën e mëparshme të koncesioneve, ku ndër të tjera theksohet se nevojitet një ligj i ri për menaxhimin e tyre.

Por edhe pse vet qeveria është e ndërgjegjshme që ky ligj ka mangësi, nuk ka ndalur miratimin e koncensioneve, ku më i fundit ishte ai për Portin e ri të Durrësit. Ndërsa ndryshimin dhe përmirësimin e ligjit parashikon që ta realizojë në fund të vitit 2023.

Më herët ka qenë Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore kanë bërë thirrje për përmirësimin e ligjit për koncesionet. Madje një kërkesë e tyre është edhe të dyfishohen përpjekjet për të forcuar kapacitetin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë që të ketë një rol më efikas në përzgjedhjen e projekteve dhe që të vlerësojë dhe monitorojë kontratat.

Kjo pasi në raportin e nëntorit të vitit të kaluar, Ministria e Financave nga 228 kontratat PPP arriti të raportojë ecurinë për vetëm 65 kontrata.

Një konstatim tjetër në raportin Kombëtar për Integrimin Europian 2023-2025, është theksuar nevoja për përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor në fushën e prokurimeve publike.